Albin Kurti

Kosova, Shqipëria dhe SHBA përballë Serbisë

2 Tetor 2023, 11:49| Përditesimi: 2 Tetor 2023, 11:52

  • Share

Si duhet ta menaxhojë Kosova fitoren pas ngjarjes së rëndë të 23 shtatorit në Manastirin e Banjskës? Përse kjo fitore ka sjellë një situatë të re për të cilën sërish SHBA po bëhet garant i sovranitetit të Kosovës? Si duhet të sillet Albin Kurti dhe Edi Rama dhe përse Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë besim vetëm te një shtet në zgjidhjen e krizës së rëndë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Tamam ashtu siç ndodhi në Paris në vitin 1919.

Të gjithë ata shqiptarë që prej kohësh sulmonin SHBA për çështjen e Kosovës tani duhet të heshtin. Lajmi më i fundit dhe më i mirë për krizën që tashmë është patatja e nxehtë e kontinentit është se SHBA ka kërcënuar me sanksione Serbinë nëse “nuk sillet siç duhet” duke treguar se në këtë moment delikat për shqiptarët shteti matanë Atlantikut është garanti i shtetit të Kosovës. Ngjarja e 23 shtatorit në Manastirin e Banjskës nuk ishte një incident i rëndomtë, as një akt i thjeshtë terrorist dhe kaq. Ajo ishte një sulm frontal i detashmenteve ushtarake serbe ndaj shtetit dhe sovranitetit të Kosovës nëpërmjet një operacioni të mirëorganizuar dhe të planifikuar me forca dhe mjete moderne ushtarake. Informacionet e fundit konfirmojnë se numri i atyre që e kanë ekzekutuar këtë operacion të planizuar shkon në 80 ushtarakë nga 30 që dihej më parë, ndërsa numri dhe lloji i armëve dhe pajisjeve luftarake vlenin për t’i përdorur një brigadë sulmi. 

Por e gjithë kjo fitore e shtetit të Kosovës që përfundoi me neutralizimin dhe dështimin e këtij plani ogurzi tashmë po kalon në një moment delikat. Janë disa pyetje që shtrohen këto ditë. Si do të  menaxhohet kjo fitore? Si do të mbrohet kjo fitore? Dhe më e rëndësishmja si do të vijojë më tej çështja mes Kosovës dhe Serbisë kur të dhënat flasin për organizim ushtarak të këtij shteti? Cila do të jetë zgjidhja e situatës së re? Dhe cili do të marrë rolin e garantit në mënyrë që Serbia mos të luajë më me portën e bisedimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmarrë plane si ai ndaj Manastirit të Banjskës? Përgjigja që të vjen në mendje menjëherë është sërish SHBA dhe askush tjetër. Sekretari i Shtetit Antony Blinken ka folur prerë, qartë dhe pa asnjë mëdyshje për përgjegjësinë në këtë sulm të Serbisë duke bërë fajtore direkt shtetin serb. Tha Blinken dy ditë pas ngjarjes:

“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës janë të papranueshme”.

Dhe kjo mbështetje pa ekuivoke e SHBA është fitorja më e madhe e Kosovës pas disa çmendurive të Albin Kurtit me qendrimet kundër Washington-it gati-gati duke e përjashtuar këtë mentor të Kosovës nga kujdesja dhe mbështetja.

PËRHERË ME SHBA

Le të imagjinojmë për një moment sikur të ishim 104 vjet para, fiks në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Sikur të ishim në pallatin e Versajës kur formoheshin me aq lehtësi shtete dhe binin po aq lehtë perandori. Bash aty ku shqiptarët nuk kishin asnjë mik rreth e rrotull jo e jo, por, as larg, aq sa studiuesja e njohur britanike Margaret MacMillan shkruante për atë që ndodhte ato ditë në Paris: “E mjera Shqipëri, me kaq shumë armiq të fuqishëm dhe kaq pak miq”. Kishim prekur fundin dhe as pavarësinë e 1912-tës që shpallëm vetë e as atë që na dhanë ambasadorët në Londër në 1913 nuk e kishim. Thjesht, në 1919, nuk ekzistonim fare si shtet dhe projekti evropian ishte që shqiptarët të mos kishin fare shtet. Por për fatin tonë të madh përmbysjen e madhe e bëri pikërisht presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson që vendosi veton duke e konfirmuar shtetin e parë shqiptar të cilin fuqitë e mëdha evropiane e kishin bërë gati ta ndanin si kasapët mishin e një lope të sapotherur. Kështu ndodhi edhe në vitin 1999 kur po kjo SHBA me presidentin Bill Clinton inicoi dhe më pas themeloi dhe ndërtoi në vitin 2008 shtetin e dytë të shqiptarëve, atë të Kosovës. Dhe sot, në një situatë tërësisht delikate është po SHBA që i del në krah shqiptarëve dhe Kosovës duke çimentuar shtetin e saj të dytë. Dhe me të drejtë mund të themi se shprehja e vitit 1919-ës ka ndryshuar pak a shumë kështu: Është e vërtetë që Shqipëria ka shumë armiq, por fati i saj i madh është se ka një mik aq të madh si SHBA, fuqia e të cilit është shumë më e madhe se të gjithë armiqtë të marrë sëbashku.

SHQIPËRIA E EDI RAMËS NË KËTË SITUATË

Kryeministri Edi Rama sërish është vënë në shenjën e tërë sulmeve për qendrimin e tij ndaj çështjes së Manastirit të Banjskës në Zveçan. Më të ethshmit janë ata që e quajnë Ramën si bashkëpunëtor të Aleksandër Vuçiç, tradhtar i Kosovës, armik i çështjes shqiptare e të tjera akuza pa fund. Në formë të përafërt janë të njëjtat akuza që i janë bërë edhe Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës dhe Pandeli Majkos që pas vitit 1990 teksa drejtonin qeveritë e Shqipërisë. Unë nuk kam besuar asnjë prej tyre dhe nuk besoj as këto akuza për Ramën. Sigurisht që Edi Rama ka bërë që ç’ke me të gabime ndaj Kosovës. Sepse në disa raste ka vënë interesin e pushtetit të vet përballë marrëdhënieve ndërshtetërore me Kosovën. Ka këputur edhe ndonjë mufkë që ka mbetur në histori si ajo që anuloi mbledhjen e dy qeverive dhe për këtë në Beograd doemos është duartrokitur. 

Por nuk mund ta besoj kurrë që Rama punon për Vuçiçin dhe se ka platformë që punon për serbët. Kjo është thjesht retorikë ditore e kundërshtarëve politikë. Mjafton një fakt i vetëm për ta hedhur poshtë të gjithë këtë: Rama është i pari kryeministër shqiptar që e tha live në Beograd në sy Vuçiçit se Kosova ishte shtet më vete dhe kjo jo vetëm nuk është pak, por është historike. Për të mos vijuar me impenjimin e tij për një rol pajtimi ndonëse kjo fjalë nuk ka shumë vlerë kur ndodh me serbët. Dhe fakti tjetër është që deri më sot nuk ka asnjë kritikë të SHBA-së ndaj Edi Ramës. Besohet që kaq mjafton. Akuzat ndaj Edi Ramës janë njësoj si ato që bëheshin dikur për Sali Berishën. Berisha këputi një mufkë teksa i fliste turmës demokrate në sheshin “Skënderbej” më 6 shkurt 1999 kur lëshoi thirrjen për delegacionin e Kosovës: Mos firmosni Rambujenë se është tradhëti kombëtare! Doemos këtë e kanë duartrokitur në Beograd. Por kjo nuk na bënë që të themi se Berisha ka punuar për Beogradin dhe për serbët. Berisha ka merita të padiskutueshme në çështjen e Kosovës, veçanërisht që në fillimet e politikës pas rrëzimit të komunizmit. 

Kur Shqipëria e dalë nga narkoza e gjatë e regjimit të Enver Hoxhës dhe kishte si emergjencë sigurimin e bukës ishte Berisha ai që u kërkonte kancelarive evropiane dhe botërore zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa përmendur këtu më pas kërkesat e tij në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë në takimin me presidentin George Bush. Nuk besohet gjithashtu as që Fatos Nano punonte për Beogradin dhe Sllobodan Milosheviçin vetëm pse takoi diktatorin serb në Kretë në vitin 1997. Nano është futur në histori për ndihmesën e jashtëzakonshme që i ka dhënë UÇK-së dhe mbështetjen pa asnjë rezervë të gjithçkaje kur ishte në detyrën e kryeministrit. I njëjti argument vlen aktualisht edhe për Edi Ramën. Madje kryeministri ditët e fundit ka qenë shumë më koherent se më parë në qendrimet e tij edhe për shkak se bashkëpunëtorët këshilltarët i ka vërtetë profesionistë dhe kjo duket sidomos me drejtoreshën e SHISH Vlora Hyseni, një njohëse ekstra e kësaj çështje, por edhe e çertifikuar nga institucionet amerikane. Jo më kot, qendrimi për këtë krizë është në të njëjtën linjë me SHBA. Shkroi Rama të premten në twitter:

“Shqipëria i bashkohet thirrjes së Qeverisë së SHBA-së për deeskalim të menjëhershëm në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. I bëj thirrje lidershipit të Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përgjegjësi dhe maturi. Shqipëria është e përkushtuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.”

Ata që deklarojnë se Rama duhet të heshtë jo vetëm janë kokë e këmbë gabim, por ende vuajnë nga nxehtësia në kokë. Si përfaqësues i Shqipërisë Rama jo vetëm duhet të jetë aktiv, por duhet të këmbëngulë që qendrimi i Kosovës të ketë vetëm një linjë atë të SHBA. Nëse rregulli është se që të jesh komb duhet të kesh një shtet, ne shqiptarët falë SHBA kemi një komb dhe dy shtete. Nuk duhet të harrojmë Versajën. 104 vjet më parë shqiptarët kishin shumë armiq dhe fare pak miq. SHBA ishte atëherë dhe kështu duhet të jetë edhe tani dhe kurdoherë. Vetëm se tani e ka lidershipi i Kosovës që të mos e shkatërrojë këtë miqësi.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?