Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të dielën Kosova u ka ofruar mbrojtje të përkohshme 68 afganëve.
Sveçla ka thënë përmes një postimi në Facebook, se akomodomi i tyre është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Kosovës ndaj krizës në Afganistan, për t’i mbrojtur individët në rrezik nga konfliktet e brendshme.
Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 11 shtator, ishte miratuar vendimi për ofrim të mbrojtjes së përkohshme të 15 afganëve dhe familjarëve të tyre.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova strehon afganë në territorin e vet.
Në verën e vitit 2021, kur talibanët janë rikthyer në pushtet në Afganistan, dhe janë tërhequr forcat ndërkombëtare, Kosova pati pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për pranim të përkohshëm të rreth 1.900 afganëve.
Ata ishte paraparë të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA, ose në ndonjë vend tjetër perëndimor.
SHBA-ja pati arritur marrëveshje të ngjashme edhe me disa vende tjera, përfshirë Shqipërinë.
Autoritetet e Kosovës dhe ato amerikane patën thënë muaj më parë për Radion Evropa e Lirë se vetëm rreth 30 afganë kanë mbetur në Kosovë, dhe që po shqyrtohen mundësi për zhvendosjen e tyre.
Fillimisht lëvizjet e tyre kanë qenë të kufizuara, por më pas është thënë se ata kanë mundur të qarkullojnë nëpër gjithë territorin.
Afganëve të larguar nga Afganistani konsiderohet se u rrezikohet jeta nga regjimi taliban, për shkak të bashkëpunimit që kanë pasur me forcat perëndimore para vitit 2021.
Prej ardhjes së talibanëve në pushtet, Qeverinë e të cilëve nuk e njeh asnjë vend në botë, të drejtat e njeriut dhe sidomos ato të grave janë përkeqësuar konsiderueshëm, vlerësojnë organizatat ndërkombëtare.
Grave u ndalohet të dalin në ambiente publike pa një shoqërues burrë, u është ndaluar shkollimi pas klasës së gjashtë dhe ushtrimi i një morie profesionesh./REL