Kosovë-Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se sot (15 janar 2025) është ngritur aktakuzë ndaj katër personave, pak më shumë se një vit pas vrasjes së 30-së Liridona Ademajt.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media.
"Kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në mënyrë dinake, andaj si e tillë presim nga Gjykata një dënim kapital", tha Gashi.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ngjarja u raportua si vrasje si pasojë e grabitjes, por hetimet morën një rrjedhë tjetër, vrasësi ishte pikërisht bashkëshorti i saj Naim Murseli.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor 2023 kur edhe Liridona u përcoll në banesën e fundit, u bë arrestimi i Naim Murselit dhe Granit Plavës. Ky i fundit dyshohet se ekzekutoi Ademajn me porosi të Naim Murselit, i cili sipas tij i kishte premtuar 30 mijë euro nëse kryente vrasjen, një pjesë prej të cilave ia kishte dhënë.
Arrestimi i tretë u konfirmua vetëm pak orë më vonë, pasi iu vunë prangat Kushtrim Kokallës, pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ndërsa po ashtu u arrestua edhe personi i katërt Tomë Dodaj i cili dyshohet se siguroi armën për kryerjen e vrasjes.