Politikë
Kosova & Rajoni

147-vjetori i Lidhjes Shqiptare, Begaj në Prizren: Historia nuk mësohet vetëm në libra, por edhe duke vizituar vendet ku kanë ndodhur ngjarjet

10 Qershor, 11:47| Përditesimi: 10 Qershor, 15:33

  • Share

Presidenti Bajram Begaj zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prizren ku mori pjesë në kremtimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke theksuar rëndësinë historike dhe frymën e bashkimit kombëtar që kjo ngjarje përfaqëson. Në fillim të vizitës, Begaj u prit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. 

Më pas, së bashku me përfaqësues të komunës dhe qytetarë të Prizrenit, ai përshkoi në këmbë rrugën nga Shtëpia e Bardhë deri në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku vendosi një kurorë në nderim të kësaj date të shënuar.

Në këtë aktivitet, Presidenti u shoqërua edhe nga një grup nxënësish nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, si pjesë e iniciativës së tij për të njohur nga afër historinë dhe vendet historike shqiptare, duke vizituar objekte kulturore në të gjitha trojet etnike.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit e vlerësoi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si themelin politik dhe shpirtëror të bashkimit kombëtar, duke theksuar se ajo përfaqëson ditën kur filloi lëvizja për pavarësi. 

"Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte një thirrje për bashkim, mbrojtje dhe vetëdije kombëtare. 10 qershori 1878 nuk ishte thjesht një mbledhje e prijësve shqiptarë, ishte shprehje e krenarisë, e përkatësisë dhe vetëdijes evropiane të një populli me histori të lashtë, kulturë unike dhe me vullnet politik për të vendosur vetë mbi fatet e tij. ", tha Begaj. 


Ai theksoi se trashëgimia e Lidhjes jeton në çdo përpjekje për zhvillim dhe bashkim kulturor të shqiptarëve kudo që ndodhen, duke qenë një thirrje për vetëdije kombëtare dhe mbrojtje të identitetit. 

Presidenti Begaj nënvizoi guximin dhe vullnetin e paraardhësve tanë, të cilët, pavarësisht mungesës së fuqive të mëdha, luftuan për të drejtën e ekzistencës, gjuhës dhe territorit.  Ai e cilësoi historinë si frymëmarrjen dhe gjakun që na lidh të gjithëve, duke e quajtur Lidhjen e Prizrenit pjesë të zemrës së çdo shqiptari të ndershëm.

"Në atë kohë, kur fuqitë ballkanike po përgatiteshin të ndanin territoret shqiptare, burrat e dheut, nga të gjitha anët e Shqipërisë etnike, u mblodhën në Prizren për të ngritur zërin e kombit tonë. Ata nuk kishin fuqi të mëdha pas vetes, por kishin guximin, kishin vullnetin dhe besimin për të mbrojtur të drejtën e tyre për ekzistencë, gjuhë dhe territor, kishin dashuri për këtë vend, kishin  dashuri për Shqipërinë, kishin dashuri për shqiptarinë. Lidhja e Prizrenit u rrit me shpresë, guxim dhe bashkim."

Në përfundim, Presidenti bëri thirrje për më shumë dashuri ndaj gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, duke nxitur frymëzimin nga trimëria e Lidhjes së Prizrenit për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të arsimuar dhe të bashkuar. Ai theksoi se liria është fituar me sakrifica dhe se atdheu është pjesë thelbësore e identitetit tonë.

"Le ta kujtojmë këtë ditë jo vetëm me fjalë, por me veprime, me më shumë dashuri për identitetin e kombit tonë, për gjuhën tonë, për historinë tonë. Sot, detyra jonë është ta çojmë më tej këtë amanet, sepse ne nuk harrojmë historinë. Duke mos harruar historinë, ne mbrojmë të ardhmen tonë.  Përmes kujtimit të këtyre ngjarjeve, ne u japim brezave shembuj dhe vlera. U mësojmë se liria nuk është e dhënë, por e fituar, se atdheu nuk është vendi ku vetëm jetojmë, por pjesë e natyrshme e identitetit tonë, se historia jonë nuk është përrallë nga e kaluara, por trashëgimi solemne që na detyron. Kjo është arsyeja pse unë sot jam i shoqëruar nga një grup nxënësish nga Shqipëria, nga shkolla “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Ata përfaqësojnë lidhjen organike me të ardhmen. ", shtoi Begaj. 

Përkujtimi i Lidhjes së Prizrenit u cilësua si një busull frymëzuese që na mëson se bashkimi, vizioni dhe vullneti e bëjnë të mundur çdo gjë, dhe se atdhedashuria është vepër e përgjegjshme për të nderuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Xh.K/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rreziku për aksidente, a duhet ndaluar përdorimi i monopatinave?