Gjykata e Apelit në Kosovë e ka kthyer në rigjykim rastin e pesë zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për kryerje të veprës penale “vrasje nga pakujdesia” kur e kanë ndaluar 27-vjeçarin Agon Zejnullahu, më 7 korrik në qytetin e Lipjanit.
Sipas pamjeve që kanë qarkulluar në rrjetet sociale, Zejnullahu duket se ka vdekur pak pasi është ndaluar nga forcat policore. Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor.
Policia pati thënë se Zejnullahu dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit.
Përmes një komunikate për media, Gjykata e Apelit ka thënë se ua ka miratuar ankesat mbrojtësve të të pandehuruve I.N., A.R., A.K., L.Rr. dhe E.B., dhe si përfundim e ka anuluar aktvendimin e datës 9 korrik të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, e cila pati caktuar masë paraburgimi ndaj pesë zyrtarëve policorë, në kohëzgjatje prej një muaji.
Sipas gjykatës, “aktvendimi i ankimuar nuk përmban analizën dhe vlerësimin e provave relevante, të besueshme dhe me fuqi provuese për të konstatuar dhe për të vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën pretendohet”.
“Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit i është propozuar gjykatës së shkallës së parë t’i evitojë të gjitha shkeljet e konstatuara në aktvendimin e ankimuar, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, është thënë në komunikatë.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se e mirëpret dhe përshëndet vendimin e Apelit.
“Ky vendim i Gjykatës së Apelit, që anulon aktvendimin e Gjykatës Themelore dhe e kthen çështjen në rivendosje, është një hap i rëndësishëm drejt respektimit të parimeve të drejtësisë dhe të procesit të rregullt ligjor. Vendimi gjithashtu thekson mungesën e analizës së plotë të provave relevante dhe të besueshme, duke nënvizuar nevojën për qasje objektive dhe të paanshme në çdo rast që përfshin zyrtarë të rendit”, është thënë në reagim.
Mes tjerash, Sindikata ka thënë se do të paraqesë ankesë në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), për shkak të atyre që i ka cilësuar “raportime të njëanshme dhe joetike të disa mediave” lidhur me këtë rast.
Sipas Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e Apelit anulon vendimet e Gjykatës Themelore dhe e kthen rastin në rigjykim, kur vërteton se: ekziston shkelje esenciale e dispozitave të procedurës penale, dhe Gjykata e Apelit nuk mund të procedojë sipas nenit 403 të këtij Kodi, ose për shkak të vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike duhet urdhëruar shqyrtim të ri gjyqësor në gjykatë themelore.
Sipas po këtij neni, nëse i akuzuari gjendet në paraburgim, Gjykata e Apelit shqyrton nëse ende ekzistojnë shkaqet për paraburgim dhe vendos me aktvendim për vazhdimin ose heqjen e paraburgimit. Kundër këtij aktvendimi nuk lejohet ankesë.
Zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë presidenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe ministrin e Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, kanë bërë thirrje për hetime dhe zbardhje të rastit.
Më 10 korrik, Argjend Gashi ka dhënë dorëheqje nga pozita e komandantit të Policisë për rajonin e Lipjanit dhe kërkesa i është miratuar.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për mënyrën se si policia e ka menaxhuar rastin në Lipjan.
Ata kanë vënë në dyshim nëse policët e përfshirë kanë pasur trajnim të mjaftueshëm, pasi trajnimi i tyre në Kosovë është zvogëluar nga gjashtë në tre muaj.
Ekspertët vlerësojnë se kjo periudhë e shkurtër trajnimi nuk është e mjaftueshme për të përballuar situata komplekse në terren./ REL
Komente
