Aksioni në postën serbe në veri të Kosovës

Kosovë/ Policia konfirmon mbylljen e nëntë objekteve të Postës së Serbisë në veri

5 Gusht, 15:08| Përditesimi: 5 Gusht, 22:47

  • Share

Policia e Kosovës ka konfirmuar të hënën për Radion Evropa e Lirë se i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

“Informacioni ka rezultuar të jetë i saktë me ç’rast Policia ka njoftuar Prokurorin e Shtetit dhe tutje vazhdojmë sipas autorizimeve të tij”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

Mbyllja e objekteve është dënuar prej Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.

Një punonjës i Postës në Zveçan i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se zyrtarët policorë kanë kontrolluar dokumente.

Një punëtor i Postës në Mitrovicë të Veriut i ka thënë REL-it se, nuk ka hasur në asnjë problem gjatë aksionit policor, që policia ka qenë korrekte dhe që askush nuk është ftuar për intervistim.

Kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se institucioni që udhëheq ai, i ka njoftuar “institucionet relevante të Kosovës se Posta e Serbisë është duke operuar në mënyrë ilegale në territorin e Kosovës”.

Megjithatë, ai nuk ka treguar numrin e zyrave të Postës së Serbisë që operojnë në Kosovë.

“Ne mbulojmë vetëm pjesën e domenit të shërbimeve postare, ofrimin e shërbimeve të postës, të letrave dhe pakove”, ka thënë ai.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Reagimet pas mbylljes së objekteve të Postës
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – e ka konsideruar aksionin si “vazhdim të planit për spastrim etnik të veriut nga çdo gjë që ka prapashtesën serbe”.

“Heqja e shërbimeve postare pas heqjes së dinarit është goditja më e rëndë për funksionimin e institucioneve serbe dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët në këto zona”, është thënë në deklaratën e kësaj partie.

“Kurti thjesht po vlon nga zemërimi që pas të gjitha veprimeve antiserbe dhe shtypjes së popullit serb, serbët ende qëndrojnë sfidues në veri”, është thënë mes tjerash në deklaratë, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Mbylljen e objekteve të Postës e ka dënuar edhe Ministria e Informacionit dhe Telekomunikacionit e Serbisë.

Sipas saj ky është vetëm një prej shembujve “të veprimtarisë kundërligjore" të autoriteteve të Kosovës, me qëllim të, siç ka thënë ministria, “përndjekjen e përhershme të popullatës së mbetur serbe dhe asaj joshqiptare" në Kosovë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka konsideruar aksionin e Policisë së Kosovës si "kundërligjor" dhe e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se kështu "provokon drejtpërdrejt një konflikt të armatosur".

"Është e qartë se ai dëshiron të shkaktojë konflikte në terren me çdo kusht, dhe kjo po ndodh para syve të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Petkoviq përmes një deklarate.

Sipas tij, aksioni policor është kryer "jashtë të gjitha marrëveshjeve" të arritura midis Kosovës dhe Serbisë dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë.

"Ekziston një shkelje brutale e marrëveshjeve dhe ky aksion i Prishtinës është kryer në kundërshtim me marrëveshjen e telekomunikacionit të vitit 2015, e cila thotë qartë se të gjitha çështjet e shërbimeve postare do të zgjidhen ekskluzivisht në kuadër të dialogut”, ka thënë mes tjerash ai.

Edhe pse shërbimet postare nuk kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve, të dyja palët patën rënë dakord që për to të diskutohej në një fazë të mëvonshme.

Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim marrëdhëniesh, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Çfarë bën Posta e Serbisë në Kosovë?
Posta e Serbisë në Kosovë kryen pagesa të ndryshme për serbët në Kosovë, prej fondeve që ndan Qeveria serbe për ta, përfshirë: pagat, shtesat për fëmijë dhe pensionet.

Gjithashtu, përmes Postës së Serbisë, në Kosovë kryhen edhe pagesa të ndryshme për shërbimet që marrin qytetarët nga institucionet paralele, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shembull, pagesa për nxjerrjen e dokumenteve serbe, pagesa për provime, dërgesa të parave, e tjera.

Përveç komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – Posta operon edhe në zonat e banuara me serbë, në jug të Ibrit.

Puna e Postës është vështirësuar prej fillimit të këtij viti, për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili e ka bërë euron si valutë të vetme për kryeje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, është ndaluar përdorimi i i dinarit serb.

Serbia pretendon se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për banorët serbë në Kosovë.

Mekanizmi ndërkombëtar pati kritikuar autoritetet e Kosovës për marrjen e këtij vendimi, duke thënë se nuk kanë ofruar alternativa të mjaftueshme për serbët lokalë./ REL

Ora 22:45
SHBA-ja thellësisht e zhgënjyer me vendimin e Kosovës për mbyllje të degëve të Postës së Serbisë

1722890825_shba.GIF

Qeveria amerikane ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në deklaratë i është bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Bashkimi Evropian, ka thënë, po ashtu, të hënën se veprimet e autoriteteve të Kosovës janë të pakoordinuara, dhe se "nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarët policorë kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.

Mbyllja e objekteve është dënuar prej zyrtarëve të Postës së Serbisë, Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë./ REL

Ora 21:50
Mbyllja e 9 degëve të postës së Serbisë në veri të Kosovës, BE: Vendim i njëanshëm dhe i pakoordinuar

1701778104_bashkimieuropian.PNG

Bashkimi Evropian e ka quajtur të njëanshëm dhe të pakoordinuar vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.

Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë dhe çështje tjera, që i përkasin procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa një marrëveshje të arritur paraprakisht, do të ndikojë negativisht në përditshmërinë dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, ka thënë blloku evropian përmes një deklarate.

BE-ja i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.

Blloku ka rikujtuar që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogut.

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bim: 06/08/2024 07:39

    Imagjino, ne Gaza kan vrare 40.000 persona megjithese gjithe komuniteti nderkombtar i kerkon Izraelit nje armpushim dhe kjo e fundit eshte agresor qe ne 1948. Kurse Kosova sanksionohet sepse zbaton kushtetutën ashtu siç do te kishte bere edhe komuniteti nderkombtar. Imagjino me hap poste paralele ne Amerike apo Gjermani apo edhe me keq me themelu koloni me njerez fascista ekstremiste te dhunshëm. Politike e poshter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?