Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë gati për hapjen e urës së Ibrit, teksa shtoi se janë duke pritur miratimin e Quint-it dhe KFOR-it.
“Ne jemi gati, me konsultime dhe koordinim, po i presim QUINT-in dhe KFOR-in, ne i kemi kryer punët tona, kemi bërë përgatitjet sa i përket pastrimit, mjedisit rrotull aty, edhe vlerësimit të qëndrueshmërisë në aspektin fizik dhe teknik, tashmë kanë kaluar bukur kohë që raporti preliminar thotë se ura është e qëndrueshme, besoj ajo urë duhet të hapet edhe për automjete sepse liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë”, deklaroi Kurti para mediave, nga veriu i Mitrovicës
Më tej, ai theksoi se Ura e Ibrit duhet të hapet për automjete, sepse sipas tij liria e lëvizjes, sundimi i ligjit dhe marrëveshja në Bruksel e kërkojnë një gjë të tillë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ishin sot në veri ku vendosën gurthemelin e stacionit të ri të policisë në Leshak, raportojnë mediat kosovare.
Ndërkohë komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Prishtinë, shefin e sapoemëruar të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Bëhet e ditur se gjeneralmajor Ulutash dhe ambasadori Orav shkëmbyen mendime mbi zhvillimet e fundit.
“Komandanti përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për bashkëpunim të vazhdueshëm me misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe mbështetjen e plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Bashkëpunimi NATO-BE është kyç për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe në rajon stabiliteti”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim e KFOR-it.