KOSOVË - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur këtë të martë (29 tetor 2023) se ai si kryeministër i vendit, nuk mund ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që bën pjesë në radhët e kërkesave kryesore për Prishtinën zyrtare sipas një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Gjatë një konference për shtyp, Kurti theksoi gatishmërinë e tij për nënshkrimin e një një draft-statuti për Asociacionin në mars 2023 në Ohër, kohë kur vendet kishin rënë dakord për aneksin e Marrëveshjes Bazë.
“Unë kam ofruar ta shkruaj draft-statutin më 18 mars 2023 në Ohër, por jam refuzuar. Por, në anën tjetri, më lejoni të theksoj se jam kryeministër i republikës demokratike. Meqë Kosova është republikë demokratike, kryeministrat nuk formojnë asociacione komunash”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës shtoi se kërkesa për themelimin e asociacionit nuk duhet t’i imponohet Kosovës dhe shtoi se tashmë vendi e ka një asociacion komunash, duke iu referuar asociacionit të komunave të Kosovës.
“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen e bashkëpunojnë. Ju e dini se ne tashmë e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë ai duhet të vijë nga dikush tjetër. Nëse kryeministri do ta themelonte atë, asociacioni do të ishte imponim ndaj komunave”, theksoi ai.
Kurti nënvizon se themelimi i asociacionit të kërkuar nga Serbia duhet të jetë zgjedhje “e lirë dhe e drejtë”.