Gjykata Kushtetuese e Kosovës, foto arkiv

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Bllokimi i formimit të qeverisë së re, sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese

30 Shtator, 08:48| Përditesimi: 30 Shtator, 09:01

  • Share

Sot përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese në Kosovë, e cila ndalonte ndërmarrjen e çdo veprimi për formimin e qeverisë së re. Vendimi u bazua në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me votimin për zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit. 

Më 30 gusht, 9 deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses për shkelje të rëndë të të drejtave të pakicës serbe pasi kryetari i sapozgjedhur Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras nënkryetarët e pakicave dhe më pas përdori shortin për kandidatët për nënkryetarin serb

Gjykata argumentoi se pa vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese gjatë seancës së 30 gushtit, kur Basha shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit pa u zgjedhur nënkryetari serb, "është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit".

Për këtë vendim, Albin Kurti shënjestroi Kushtetuesen, duke deklaruar se po vepron si "hije politike" e opozitës. 

Por si mund ta gjykojë Kushtetuesja çështjen? Zahir Çerkini, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kushtetuesja është mbështetur gjithmonë në praktikën e konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, Gjykata do “të konstatojë se shkelja e vetme ka qenë ndarja e votimit të nënkryetarëve”. Çerkini tha se nuk pret që gjykata të merret me çështje politike, siç është diskutimi se kush duhet të jetë nënkryetar nga komuniteti serb.

Vendim të ngjashëm pret edhe Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi.Por, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka pritshmëri të tjera. “Ne presim që Kuvendi të konfirmohet si i konstituuar, ngase Kryetari i Kuvendit i ka respektuar dhe ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara me Kushtetutë, jurisprudencën e Gjykatës dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në një deklaratë të Zyrës për Media të LVV-së dhënë REL-it.

Për LVV-në, përfaqësuesja e pakicave joserbe, Emilija Rexhepi, e cila u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, u votua “në mënyrë të rregullt dhe nuk ka drejtë askush t'ia marrë këtë të drejtë grupit multietnik”.

Kriza politike disa mujore u duk sikur u zgjidh kur më 26 gusht Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota. Më pas u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare, Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala. Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, por konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

Deputetët refuzuan kandidatin e Listës Serbe, Sllavko Simiç. Lista Serbe nuk pranoi të propozonte një emër tjetër, duke bërë që Basha të hidhte short për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.

As Rashiç nuk mori vota të mjaftueshme, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe. Basha tha se e konsideronte të mbyllur seancën konstituive dhe se puna e Kuvendit nuk mund të bllokohej nga moszgjedhja e nënkryetarit.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?