Kosova & Rajoni

Kosovë/ Dështon mbledhja e kryesisë së Kuvendit, shkak mungesa e kuorumit! Basha: Puna s’mund të bllokohet për një nënkryetar

1 Shtator, 14:35| Përditesimi: 1 Shtator, 16:05

  • Share

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.

Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.

Mbledhja e Kryesisë u thirr nga Basha - i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive pa nënkryetarin serb - për t'u konsultuar rreth vazhdimit të punës së institucionit.

"Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për mosgjedhjen e një nënkryetari", përsëriti Basha të hënën.

Në tri vazhdime të seancës, kandidatët serbë për nënkryetar dështuan të sigurojnë votat e nevojshme.

Basha e shpalli të mbyllur seancën konstituive, me arsyetimin se janë shteruartë gjitha mundësitë.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e mbështeti, ndërsa ish-opozita kundërshtoi.

Duke folur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në një takim konsultativ dhe njoftues, por nuk dha shumë detaje.

Kuvendi i Republikës së Kosovës publikoi më herët një njoftim, ku thuhej se Basha e ka informuar presidenten për përfundimin e seancës konstituive dhe se të dy kanë diskutuar mbi hapat e mëtejshëm institucionalë, por e tërhoqi pak minuta më vonë.

Basha tha se stafi ka bërë gabim dhe ka shkruar një komunikatë pa miratimin e tij.

"Presidentja nuk ka dhënë mendim. Ajo vetëm se ka dëgjuar arsyetimin tim [për seancën konstituive]", tha Basha për gazetarët.

Presidentja Osmani, cila, sipas ligjit, duhet të mandatojë partinë ose koalicionin fitues për formimin e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, nuk e ka komentuar vendimin e Bashës për mbylljen e seancës konstituive.

Radio Evropa e Lirë e kontaktoi ekipin e saj për të pyetur mbi hapat e mundshëm, por nuk mori përgjigje.
Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.

Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator./REL

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria e dyta në grup, a besoni se do kualifikohemi në Botëror?