Dronë serbë janë pikasur në veri të Kosovës. Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazment Hoxha, i cili tha se së fundmi janë regjistruar raste të fluturimeve në veri të vendit, që sipas të vilit, dyshohet se kanë ardhur nga Serbia. Ai tha se tashmë kanë njoftuar edhe KFOR-in.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, deklaroi ai.
Ai theksoi se rreziku ekziston për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR.”, u shpreh Hoxha.
Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës, por hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra - është nën kontrollin e Hungarisë. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Komente
