Prokuroria Speciale në Prishtinë

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Dy persona nën akuzë për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes mes grupeve fetare! Zbatuan metodat e ISIS-it

14 Gusht, 15:33| Përditesimi: 14 Gusht, 15:42

  • Share

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të enjten se ka ngritur dy aktakuza të ndara ndaj dy personave të dyshuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.

Në një njoftim për media, Prokuroria i identifikoi dy të akuzuarit vetëm me inicialet M.M. dhe A.B.

Prokuroria i akuzon ata se kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim midis grupeve fetare, si dhe kanë propaganduar ideologji ekstremiste fetare, sipas metodave të propagandës së Shtetit Islamik (ISIS).

“M.M. ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, duke publikuar në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’, fotografi dhe video të personave të radikalizuar dhe duke shfaqur në publik thirrje për ekstremizëm fetar”, thuhet në aktakuzë.

Ndërkohë, A.B, akuzohet se “ka bërë thirrje që të respektohen ligjet e sheriatit, e të kundërshtohet sistemin demokratik, simbolet shtetërore dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, A.B, nga vitit 2019 e deri më 22 maj 2025, përmes rrjetit social Facebook, në profilin e tij me emrin Ubejdullah Abu Suhejla, ka shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse, përmes së cilave ka bë thirrje për t’iu bashkuar luftës për xhihad.

Vepra penale e nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit është e dënueshme me gjobë dhe burgim me kohëzgjatje deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal. Në maj, policia i arrestoi dy persona të dyshuar për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dhe për shpërndarje të ideologjisë për organizata terroriste përmes rrjeteve sociale.

Ata ishin arrestuar gjatë bastisjeve në Fushë Kosovë dhe në Malishevë. Autoritetet nuk e kishin bërë të ditur identitetin e tyre asokohe. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?