Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës kundër ministrit në detyrë për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka, dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, Besim Kamberaj.
Prokurorët i akuzojnë Damkën dhe Kamberajn se i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëme në vlerë prej rreth 1 milion eurove.
Sipas një njoftimi të premten, Damka dhe Kamberaj akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, Germin dhe Caritas Zviceran, gjatë periudhës mes 16 gushtit 2021 dhe 24 marsit 2022.
Prokurorët i ngarkojnë ata se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kur kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, “duke i financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike”.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro”, thuhet në njoftim.
Prokuroria tha se i ka Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv.
Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë të dënohen deri në pesë vjet burgim, sipas kodit penal të Kosovës.
Fikrim Damka – i cili është kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës – u emërua ministër i për Zhvillim Rajonal në Qeverinë Kurti II në vitin 2021. /REL/
Komente
