Anton Quni

Kosovë/ FSK krahas ushtrisë amerikane merr pjesë në misione paqeruajtëse

22 Janar 2021, 14:20| Përditesimi: 22 Janar 2021, 14:24

  • Share

Për herë të parë FSK do t'i bashkohet ushtrisë amerikane në misione paqeruajtëse. Ministri në detyrë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Anton Quni për DW shpjegon detajet e angazhimit të FSK-së jashtë e sfidat e saj.

Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK përkatësisht një njësi e saj do të marrë pjesë në misione paqeruajtëse jashtë vendit krahas ushtrisë amerikane. Kjo marrëveshje ditë më parë u ratifikua në parlamentin e Kosovës dhe shënon për herë të parë angazhimin e trupave të FSK në një aktivitet ushtarak jashtë territorit të Kosovës.

Ministri në detyrë i Forcës së Sigurisë së Kosovës Anton Quni, në një intervistë për DW shpjegon detajet e angazhimit të FSK-së në misione paqeruajtëse. "Kosova ka marrëveshje bilaterale me shtete veç e veç dhe deri tash kemi 14 marrëveshje ushtarake. Një ndër to është edhe marrëveshja me SHBA-së përkatësisht me gardën e shtetit të IOWA në SHBA. Një ndër projektet e shumta që kemi me këtë gardë është edhe projekti që të marrim pjesë në misione paqeruajtëse me gardën e IOWA-s. Kështu që ne kemi marrë një kërkesë që në misionin e radhës së gardës së IOWA ne të jemi pjesë e këtij misioni paqeruajtës. Ftesa është bërë nga komanda qendror,e e cila ka përgjegjësi për një hapësirë të gjerë gjeografike ku përfshihet Lindja e Mesme, një pjesë e Azisë Jugore dhe Afrika verilindore. Pra nuk po flasim për ndonjë angazhim në ndonjë shtet të caktuar, por për një hapësirë të gjerë gjeografike”, thotë ministri në detyrë Quni.

"Nuk ka asnjë pengesë që të funksionojmë si ushtri"

Forca e Sigurisë së Kosovës në bazë të një ligji të miratuar në kuvendin e Kosovës funksionon si një ushtri ndonëse, emrin nuk e ka ushtria e Kosovës. Kjo për faktin që përfaqësuesit e komunitetit serb në kuvendin e Kosovës nuk lejuan ndryshimet e nevojshme kushtetuese që FSK-së do t'ia ndërronin emrin nga FSK në ushtri e Kosovës. Por kjo sipas Anton Qunit nuk e pengon FSK që të ushtrojë funksionet e saja si një ushtri e një vendi. "Përpjekja e parë e udhëheqësve politik ish që tranzicioni i FSK-së të trajtohet me dispozita kushtetuese dhe pasi që u konsumuan të gjitha përpjekjet që të binden edhe deputetët e komunitetit serb kjo nuk ndodhi. Atëherë kaluam në opsionin B që pa e ndryshuar emërtimin e FSK-së, nëpërmes ligjit FSK të mandatohet edhe me mision ushtarak. Tash FSK nuk ka asnjë pengesë që të funksionojmë si ushtri, edhe pse ka shtete të Evropës dhe më gjerë që ende kanë dilema, por kjo çështje është një çështje e brendshme e çdo shteti dhe ne si shtet edhe veprojmë”.

Por, a mund të operojë Forca e Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe ku kjo trupë nuk është e mirëpritur. "Ne kemi një marrëveshje me KFOR-in, ta quaj marrëveshje gjentelmene. Nuk është FSK që të demonstrojë forcë, por është forcë që do të jetë e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe ne jemi duke punuar që mos të ketë rezistencë në veri dhe të mos ketë ndonjë situatë që mundet të keqkuptohet dhe të merret si ndonjë atak ndaj ndonjë komuniteti. Kështu që kemi një marrëveshje me KFOR-in për angazhim në veri dhe çdo herë nëse është e nevojshme ne në bashkëpunim me KFOR-in do të jemi në veri. E kuptojmë sensitivitetin dhe posaçërisht opinionin e krijuar në veri rreth FSK-së, dhe nuk kemi dëshirë të krijojmë përshtypje që prezenca jonë në veri do të atakojë ndonjë komunitet. Pra kjo kërkon kohë derisa të krijohet një besueshmëri e FSK-së në veriun e Kosovës ndonëse ne i kemi kompetencat që të operojmë në tërë territorin e Kosovës”, thotë Anton Quni.

Largimi i pjesëtarëve të komunitetit serb

Kohë më parë menjëherë pas miratimit të ligjit për FSK në kuvendin e Kosovës, u zhvillua një fushatë nga autoritetet e Serbisë që u kërkonin pjesëtarëve të komunitetit serb që të largohen nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Sipas ministrit në detyrë të FSK-së Anton Quni, kjo ndikoi që disa pjesëtarë të largohen nga FSK. "Ka qenë një periudhë kur pjesëtarët e komunitetit serb në FSK në forma të ndryshme kanë përjetuar presione dhe shantazhe të ndryshme nga Beogradi por edhe nga fqinjët e tyre serb këtu brenda Kosovës, ku rezultonte edhe me arrestime të tyre kur bënin kalime kufitare nga Kosova për në Serbi ku janë ndaluar edhe nga zyrtarët e policisë dhe shërbimi sekret serb. Një pjesë e këtyre pjesëtarëve ju kanë nënshtruar këtyre presioneve dhe kanë kërkuar që të lirohen nga detyra, por shumica prej tyre vazhdojnë të shërbejnë në FSK dhe janë lojalë ndaj kësaj trupe. Ne jemi deklaruar që në fillim kur është themeluar FSK që së paku 10% e pjesëtarëve të saj të jenë nga pakicat kombëtare në Kosovë dhe këtu flasim për ngritjen e një force profesionale multietnike nga të gjithë qytetarët e Kosovës', thotë Quni./ DW

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?