Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se janë arrestuar të gjithë pjesëtarët e grupit famëkeq ‘Albkings’, i cili funksiononte në rrjetin social Telegram dhe shpërndante foto intime të personave të ndryshëm, me qëllim shqetësimin dhe ngacmimin seksual.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore Zejnullah Gashi në një konferencë për media, teksa njoftoi arrestimin e 7 personave, pjesë e grupit, përgjegjës për veprat penale të vjedhjes së identitetit dhe publikimit të kredencialeve, tha se ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa përket veprave penale që do të ndiqen.
Përveç administratorit të parë është arrestuar edhe administratorja e grupit femër.
“Ju njoftoj se prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka arritur me sukses të gjurmonin, zbulonin dhe të arrestonin të gjithë kryesit të veprave penale të vjedhjes së indentiteti dhe kredencialeve. Marrë parasysh se jemi duke hetuar ende, kërkojmë që të kurseheni sa i përket pyetjeve, pasi që mund të cenojmë konfidencialitetin dhe integritetin e hetimeve. Ka gjasa që të zgjerohen hetimet edhe sa i përket personave që do të ndiqen edhe sa i përket veprave penale që do të ndiqen. Sot i kemi gjithsej 7 personave që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për persona të tjerë", tha ai.
Ndërkohë, prokurorja e rastit, Erza Bajrami-Kastrati, bëri me dije se grupi është mbyllur përfundimisht.
“Kemi arritur që këtë grup ta mbyllnim përfundimisht. Kemi arritur t’i arrestonim shtatë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast”, ka thënë ajo.
Grupi “Albkings” në rrjetin “Telegram” në shumë pak kohë u kthye në një tmerr për gratë dhe vajzat, jo vetëm në Kosovë, por dhe në Shqipëri, teksa aty shpërndahen foto dhe video intime të tyre, përfshirë dhe numra celulari. Për grupe të tilla, hetime po kryhen edhe në Tiranë nga Krimi Kibernetik.