Ura e re në lumin Ibër

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Hapet ura e re për automjete mbi lumin Ibër që lidh Mitrovicën e Jugut me të Veriut

26 Gusht, 13:17| Përditesimi: 26 Gusht, 13:23

  • Share

Mëngjesin e së martës është hapur njëra prej dy urave që Qeveria në detyrë e Kosovës nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook se "më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër".

"Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim", shkroi ai.

Më herët, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi një fotografi të veturave duke kaluar mbi urën e re dhe shkroi: “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”.

Autoritetet kosovare e filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t'i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.

Ajo i ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e tyre dhe tha se të dyja do të përfundonin në vjeshtë.

Ndërtimi i tyre u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër saj, i cili i mori mbi 3.500 nënshkrime.

Bashkimi Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.

“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.


Ndërkohë, teksa punimet për ndërtimin e tyre filluan, prokurorët njoftuan se kishin autorizuar hetime, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.

Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë të dhëna të tjera.

Urat e reja po ndërtohen pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.

Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar – gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.

Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./REL

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?