Nga veriu i Kosovës, i dërguari i Posaçëm i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen bëri thirrje për të ecur përpara. Diplomati evropian vizitoi të martën pikat kufitare në veri, ndërsa tha se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është një pikë kyçe për integrimin drejt rrugës evropiane.
“Është mbresëlënëse të shohësh dhe të informohesh për Pikat e Përbashkëta të Kalimit. Ndërsa është bërë shumë, ne duhet të rifillojmë punën e mbetur pa vonesë. Bëhet fjalë për lejimin e njerëzve dhe mallrave të lëvizin lirshëm - një gur themeli i integrimit në BE. Falë KFOR-it për mbështetjen e logjistikës”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Gjatë vizitës, Sorensen ishte i shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani.
Të hënën, Sorensen u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, ku kjo e fundit i kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës. Kjo është vizita e tij e parë pas marrjes së kësaj detyrës në 1 shkurt. Gjatë kësaj kohe ai është shprehur se po studion mundësinë e metodave të reja për dialogun.
Sanksionet ndaj Kosovës u vendosën në vitin 2023 pas masave të marra nga qeveria e Kurtit të cilat nuk u konsultuan me perëndimin dhe që sollën sipas BE tensione në veri. Heqja e tyre është duke u diskutuar në komisionet parlamentare të BE por nuk është miratuar ende.
Komente
