Kosovë, KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit/ Të hënën fillojnë negociatat për formimin e qeverisë së re të Kosovës

13 Mars 2021, 10:42| Përditesimi: 13 Mars 2021, 14:00

  • Share

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, certifikoi të shtunën rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Zgjedhje të cilat e shpallën fituese Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit me 50.21 për qind të votave.

Certifikimi i rezultateve erdhi  pas shqyrtimit të ankesave të kandidatëve për deputetë dhe subjekte politike nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.

Pas certifikimit të rezultatit, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, brenda 30 ditësh duhet të thërrasë seancën e parë të kuvendit, në mënyrë që të formohen institucionet e reja qeverisëse. Në legjislaturën e re Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 vende në parlament,  Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë tetë mandate.

Nga 20 mandatet e përcaktuara për komunitetet Lista Serbe ka fituar të dhjetë mandatet e garantuara. Dy vende ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës. Nga një mandat kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja më 4 mars partitë e komuniteteve joserbe iu drejtuan Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke thënë se dy subjekte boshnjake dhe rome, kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe.

PZAP-ja ka miratuar pjesërisht ankesat e këtyre partive politike, duke anuluar votat që këto dy subjekte fituan në komunat me shumicë serbe dhe duke bërë që jashtë kuvendit të mbetet Adrijana Hoxhiq, e cila humbi edhe betejën ligjore në Kushtetuese.

Pas ankesave, PZAP-ja po ashtu kishte urdhëruar rinumërimin e votave me kusht dhe me postë të kandidatëve për deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pas dyshimeve se janë manipuluar votat në favor të një kandidateje, gjë e cila shkaktoi dorëheqjen e ish-ministres së jashtme dhe arrestimin e dy personave.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe Vjosa Osman kanë thirrur takime konsultative me liderët e partive, lidhur me krijimin e institucioneve të reja. Takimet pritet të mbahen të hënën më 15 mars dhe Kurit për qeverinë e re u duhen vetëm 61 vota. Për krijimin e qeverisë Kurti ka thënë se qeverinë synon ta formojë me disa parti të komuniteteve joserbe.

Kosova po ashtu pritet që të zgjedhë edhe presidentin e ri, për të cilin duhen të paktën 80 vota për të fituar, kandidatja e Vetëvendosjes për këtë post është ushtruesja aktuale e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 Shkurtit dhe në të gjithë historinë e vendit ka rezultuar si personi më i votuar. 

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?