Ministri Liburn Aliu ka njoftuar dorëheqjen

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Kriset qeveria Kurtit, ministri Aliu njofton dorëheqjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar

27 Gusht, 11:36| Përditesimi: 27 Gusht, 15:42

  • Share

Liburn Aliu ka njoftuar të mërkurën se ka dhënë dorëheqje si ministër në detyrë në Qeverinë e Kosovës, për shkak të, siç tha, zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës një ditë më parë.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorëzova te kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, shkroi Aliu në Facebook.

Ai shpjegoi se dorëheqja e tij vjen pasi dje bashkëpartiaku i tij, Dimal Basha, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. 

Aliu tregoi se e kishte njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për vendimin e tij menjëherë pas zgjedhjes së Bashës të martën.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

Aliu, i cili është anëtar dhe ndër themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk mori pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt. Radio Evropa e Lirë e ka kontaktuar Qeverinë në detyrë për koment në lidhje me dorëheqjen e tij. Basha, i cili u zgjodh me 73 vota për, njihet për gjuhën e tij të vrazhdë kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë. Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, ai e ka përdorur fjalën “langarecët” për t’i kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat./REL

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?