Kosovë/ Kryeministri Hoti: Asociacioni, temë e mbyllur! Gjuriç: Në Bruksel ai këndon një tjetër këngë

28 Shtator 2020, 17:15| Përditesimi: 28 Shtator 2020, 17:18

  • Share

Çështja e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, vazhdon të mbetet një nga pikat kyçe të dialogut Kosovë-Serbi, ndërkohë që takimet mes palëve janë shtyrë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përsëriti sot se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një temë tashmë e mbyllur.

“Ajo temë nuk hapet, sepse është përmbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës dhe me marrëveshjen e parimeve e vitit 2015” - tha Hoti.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lakçak, ka  kërkuar që Asociacioni “të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse”.

Në një kohë që për Kosovën çështja e Asociacionit nuk duhet hapur përsëri, Serbia insiston që të bisedohet sërish për të.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, “mund ta gënjejë publikun sa të dojë”, por ai “nuk do t’i ikë” krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas tij, “Hoti, në takimet në Bruksel, këndon tjetër këngë dhe jo vetëm që premton se do ta mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe, por edhe garanton autorizime shtesë për të”.

Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?