Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për menaxhimin e mbeturinave. Sipas drejtuesve të komunës, vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme bazohet në rezultatet e arritura gjatë vitit 2024, pas marrjes së masave emergjente për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.
Një ndër hapat kryesorë ishte përfshirja e operatorëve ekonomikë në zonën qendër dhe furnizimi i lokacioneve me kontejnerë të rinj, çka ndikoi në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe krijimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët.
“Duke qenë se ndërmarrja "Pastrimi" vazhdon të përballet me mungesë të mekanizmit të nevojshëm dhe nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet kontraktuale, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka siguruar mekanizëm shtesë për vitin 2025. Konkretisht, janë blerë kamionë të rinj për ndërmarrjen "Pastrimi" dhe 2,500 kontejnerë të rinj, të cilët ende nuk janë shpërndarë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme.
Po ashtu, është iniciuar procedura e prokurimit për angazhimin e pesë operatorëve privatë në grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave, me synimin që ndarja e Prishtinës në gjashtë zona të bëjë kryeqytetin ndër më të pastërtit në rajon. Megjithatë, ndërkohë që po punohej për zbatimin e këtyre reformave, me iniciativën e asamblistit të PDK-së, Leotrim Retkoceri, dhe me mbështetjen e grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes, u miratua ndryshimi i rregullores për menaxhimin e mbeturinave.
Ky ndryshim i dha ndërmarrjes "Pastrimi" të drejtën ekskluzive për këtë shërbim, duke përjashtuar operatorët privatë dhe duke krijuar një monopol që, siç ishte e qartë për propozuesit dhe votuesit e tij, do të çonte në kaos ambiental dhe në mungesë të shërbimit bazik për qytetarët. Ditëve të fundit, kemi pranuar ankesa të shumta nga qytetarët për mungesën e shërbimit me javë të tëra, veçanërisht në sistemin "derë më derë".
Një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe ka konstatuar një situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish. Për këto arsye, si institucion përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve të kryeqytetit, jemi të detyruar të shpallim sërish gjendjen e jashtëzakonshme. Ky hap është i domosdoshëm për të marrë masat e nevojshme që situata të vihet nën kontroll, duke garantuar pastërtinë dhe shërbimet bazike për qytetarët e Prishtinës”, thuhet në njoftimin e komunës.
Kompania "Pastrimi" është ndërmarrje publike lokale me rreth 900 punëtorë, e cila kryen shërbime për grumbullimin e mbeturinave për disa qytete të Kosovës, përfshirë Prishtinën.
Petrit Reçica, kryeshef i kompanisë "Pastrimi", ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve komunalë, duke mohuar kritikat se kompania që e udhëheq nuk po e kryen punën si duhet.
"Ne po punojmë pa pushim 24 orë për 7 ditë të javës, me gjithë këto sfida, dhe nuk dorëzohemi me të vetmin qëllim, që Prishtinën do ta pastrojmë nga mbeturinat", ka shkruar Reçica në Facebook.
Ai e ka akuzuar udhëheqësinë e Komunës se përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme po mundohet të angazhojë kompani të caktuara për këtë shërbim.
"Pra, e gjithë kjo nuk ka të bëjë me pastërtinë e qytetit, por me një betejë për tenderët dhe kontrollin mbi paratë publike", ka shkruar Reçica.
Sipas komunës, një ekip i krijuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike ka inspektuar terrenin dhe “ka konstatuar situatë alarmante, me rrezik të madh përhapjeje epidemish”.