Kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Nexhmi Rexhepi ka zhvilluar një bisedë telefonike me drejtorin për Evropën Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA, Mark Fleming. Në fokus të diskutimeve ka qenë puna e deritanishme e Kushtetueses dhe roli në ruajtjen dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend.
“Kryetari Rexhepi e falënderoi z. Fleming për telefonatën dhe shprehu vlerësimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-së për punën dhe pavarësinë institucionale të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Një bisedë e tillë vjen në një kohë kur kryeministri në detyrë Albin Kurti ka sulmuar Kushtetuesen, duke e akuzuar se po vepron si hije politike e opozitës, pasi bllokoi deri më 30 shtator çdo veprim për formimin e qeverisë së re. SHBA dhe BE dënuan sulmin, ndërsa kjo e fundit tha se përgjegjësia për ngërçin në Kuvend bie mbi partitë.
Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin të mos merrte asnjë veprim deri më 30 shtator për konstituimin dhe formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Vendimi erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila e cilësoi si shkelje kushtetuese mënyrën e votimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Disa ditë më pas, SHBA njoftoi se kishte pezulluar pa afat dialogun me Kosovën, duke e akuzuar qeverinë në detyrë të Kurtit se ka rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë me veprimet e saj, si dhe ka kufizuar aftësinë për të punuar së bashku në mënyrë produktive mbi prioritetet e përbashkëta SHBA-Kosovë.
Komente
