Albin Kurti është propozuar sërish me votë unanime nga Lëvizja Vetëvendosje për një tjetër mandat në krye të qeverisë së Kosovës. Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të mbajtur këtë të diel, teksa shpalosi programin qeveritar, kryeministri në detyrë i Kosovës shënjestroi edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila së fundmi bllokoi deri më 30 shtator çdo veprim për formimin e qeverisë së re.
Sipas Kurtit, Kushtetuesja po vepron si një “hije” e opozitës ndaj LVV-së, teksa tha se gjatë këtyre muajve krize politike, tre muaj vonesë u shkaktuan për shkak të vendimeve të saj.
“Gati nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. 2/3 e kohës kemi qenë duke pritur vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilës i adresohej opozita”, deklaroi Kurti, teksa komentoi masën e fundit të bllokadës deri më 30 shtator.
Më 5 shtator, Gjykata Kushtetuese njoftoi se masën e re që urdhëronte Kuvendin të mos merrte asnjë veprim deri më 30 shtator për konstituimin dhe formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Vendimi erdhi pas ankesës së Listës Serbe, e cila e cilësoi si shkelje kushtetuese mënyrën e votimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Sipas gjykatës, deri në vlerësimin e ankesës së Listës Serbe, ishte e domosdoshme që të ndaloheshin veprimet e mëtejshme drejt zgjedhjes së qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit. Ngërçi ka ngecur pikërisht në zgjedhjen e nënkryetarit serb, por një gjë e tillë, sipas kryetarit të ri Dimal Basha, nuk mund ta pengojë punën e Kuvendit. Për këtë arsye, kur u zgjodhën 4 nënkryetarët e tjerë, ai shpalli të mbyllur seancën konstituive.
Pas përfundimit të votimit nga Këshilli, emri i Kurtit do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të ndërmarrë veprimet sipas procedurës kushtetuese për mandatarin e qeverisë. Sipas Kushtetutës së Kosovës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e tij.
Nëse nuk arrin të marrë votat e nevojshme, dhe nuk formohet as pas 40 ditësh, atëherë presidentja shpall dekret për zgjedhje të reja, që duhet të mbahen deri në 40 ditë pas këtij vendimi.
Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj sulmeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Përmes një njoftimi në Facebook, Haradinaj thotë se është e dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon atë.
“Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur ‘hajni bërtet kapeni hajnin’!”, tha ndër të tjera Haradinaj.
“E dhimbshme kur kryeministri i deritashëm dhe ai që pretendon të jetë prapë kryeministër, nuk e njeh institucionin më të lartë të drejtësisë në vendin e vet dhe e sulmon aq egër e aq ulët. Ai nuk flet për shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës që i ka bërë ai e partia e tij, por zgjedh të mashtrojë sikur fajin e paskan gjyqtarët e Kushtetueses. Kjo ma kujton atë shprehjen popullore kur “hajni bërtet kapeni hajnin”! Ata gjyqtarë i ka zgjedhur Kuvendi legjitim i Republikës së Kosovës e jo formacionet imagjinare të tij!”, ka shkruar kreu i AAK-së.
Ai shton se e vërteta për bllokimin e shtetit të Kosovës ka vetëm një emër, dhe sipas tij ai është Albin Kurti.
“E vërteta për bllokimin, jo vetëm të Parlamentit por edhe të Shtetit, e ka vetëm një emër e ky është Albin Kurti dhe kjo sot është e qartë për secilin, veç në mendjen e Albin Kurtit është e mjegullt! Prandaj institucioni më i lartë i drejtësisë në vend, e ka kohën e fundit që në intepretimet e tij për shkelje të Kushtetutës, të mos mjaftohet vetëm me konstatimin e tyre, por t’i saktësojë edhe pasojat ligjore juridike, për secilin individ apo grup që i bën ato! Vetëm drejtësia e plotë është drejtësi!”, ka shkruar tutje politikani.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka sulmuar Gjykatën Kushtetuese, për të cilën tha se po funksionion si hije politike e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ku Kurti u propozua sërish për kryeministër, ai tha se në këto muajt e krizës politike, tre muaj vonesë u shkaktuan si pasojë e Kushtetueses, me bllokadat që ajo ka vendosur.
“Gjykata Kushtetutese po funksionon si një hije politike opozite e Vetëvendosjes. Meqë tani u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së Listës Serbe. Pa arsyeshëm, besoj unë dhe kërkoj që 120 deputetë të Republikës të vegjetojnë deri më 30 shtator. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i Shëndëtësisë, Arben Vitia, të lëshojë një vendim mjeksor të ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që kam është nëse kjo masë është më shumë absurde apo e dëmshme. Gati nga katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. 2/3 e kohës kemi qenë duke pritur vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilës i adresohej opozita”, deklaroi Kurti.
Kurti shtoi se nuk është hera e parë që Kushtetuesja ka penguar sipas tij punët e mira të qeverisë. Sipas tij, në tetë raste, me vendimet e kësaj gjykate, janë penguar nismat reformuese të qeverisë duke u shpallur si antikushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese na e ka rrëzuar ligjin për vendosjen e çmimit tavan. Kjo ka qenë dita më e pikëlluese e imja si kryeministër", shtoi ai.
Komente
