Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Kushtetuesja publikon aktgjykimin e plotë lidhur me konstituimin e Kuvendit! 48 orë kohë për mbajtjen e seancës së radhës

8 Tetor, 16:21| Përditesimi: 8 Tetor, 16:27

  • Share

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka publikuar të mërkurën aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.

Aktgjykimi i plotë është publikuar më 8 tetor.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktgjykimi i obligon palët që brenda 48 orësh të caktojnë mbajtjen e seancës.

"Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve", është thënë në vendimin e plotë.

Gjykata ka thënë mes tjerash se "bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit".

Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat, përbënte shkelje.

Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.

Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese pati vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmerrnin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.

Ajo e ka bërë të qartë se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar, pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.

Në aktgjykimin e plotë, Gjykata ka thënë se bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, respektivisht 61 vota për, dhe propozimi bëhet me shkrim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb.

"Nga si më sipër, Gjykata nënvizon se propozimi për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, në rastin konkret, të komunitetit serb, duhet që të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb".

Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe i ka nëntë ulëse që janë të rezervuara për komunitetin serb dhe një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.

"Përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në strukturën e Kryesisë së Kuvendit, është garanci kushtetuese, në mënyrë që edhe komunitetet që nuk janë shumicë, respektivisht, komuniteti serb dhe komunitetet tjera që nuk janë shumicë, të përfshihen në funksionimin e plotë të Kryesisë së Kuvendit duke iu mundësuar atyre që të marrin pjesë në vendimmarrjen e Kryesisë së Kuvendit, në mënyrën e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit", ka thënë mes tjerash Gjykata në arsyetimin e vendimit të marrë.

Pavarësisht se kanë kaluar muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.

Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para dhe i ka fituar 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.

Ulëset tjera janë të rezervuara për pakicat. Faktori ndërkombëtar ka bërë disa herë thirrje që Kosova t'i formojë sa më shpejt institucionet e reja./REL

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?