Politikë
Kosova & Rajoni

Kosovë/ Mbahet forumi për gratë, paqen dhe sigurinë, Spiropali: Roli i tyre thelbësor për paqen e një vendi

2 Qershor, 12:54| Përditesimi: 2 Qershor, 13:59

  • Share

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ishte sot ndër folëset kryesore në Forumin e 3-të Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet sot e nesër në Prishtinë, organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është një nismë e Presidentes Osmani, e cila bën bashkë kryetarë shtetesh, qeverish, parlamentesh,  personalitete intelektuale e kulturore, përfaqësues të organizatave të grave, shoqërisë civile dhe medias nga vende të ndryshme të botës, për të diskutuar mbi temat e grave, sigurisë e paqes dhe çështje që lidhen me to.

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali theksoi se gratë janë vetë themeli i paqes. Ajo foli për nevojën e barazisë gjinore, duke sjellë shembullin e Shqipërisë, ku 36% e deputetëve dhe gjysma e anëtarëve të qeverisë, janë gra.

"Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është një nismë e guximshme, e udhëhequr nga arsyetimi se përfshirja e grave nuk është një element opsional i zhvillimit dhe paqes; por është vetë themeli i tyre. Nuk është rastësi që ky Forum po mbahet në zemër të Evropës, në një vend ku plagët dhe traumat e luftës, tragjeditë njerëzore, personale e familjare që kanë përjetuar gratë, vajzat dhe fëmijët e pafajshëm të Kosovës, janë ende shumë të gjalla. Nuk janë harruar, e si mund të harroheshin?

Kosova, me mençurinë e saj, pavarësisht mizorive të tmerrshme që ka kryer regjimi i Millosheviçit, nuk ra kurrë në grackën e hakmarrjes. Përkundrazi, punoi pa u lodhur për ta kthyer dhimbjen në forcë, për t’i dhënë fund luftrave dhe për të shmangur konfliktet, investoi tek liria dhe sovraniteti i kombeve dhe popujve.

Si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në vitet 2022-2023, Shqipëria, me një zë të fuqishëm për paqe, e bëri prioritet parësor vendosjen e Grave, Paqes dhe Sigurisë në qendër të agjendës gjatë mandatit të saj dhe e kishte prioritet që zërat e Kosovës të ishin të pranishëm dhe të dëgjoheshin. Shqipëria vazhdon të forcojë zbatimin në nivel kombëtar të agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria,  edhe përmes Planit Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili tashmë është në fazën e tij të dytë.

Kuvendi i Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor në këtë rrugëtim. Komisionet tona parlamentare për barazinë gjinore dhe punët e jashtme kanë punuar përtej kufinjve partiakë për të inkorporuar agjendën WPS në proceset legjislative. Gratë, me fuqinë e tyre të butë kanë shfaqur potencialin dhe aftësitë për të afruar kulturat dhe shoqëritë, për të ngritur ura aty ku ka dallime, për të inkorporuar vlerat e reja politike për të emancipuar jetën shoqërore, institucionet politike dhe marrëdhëniet mes shteteve.

Shqipëria është sot kampione në mjaft tregues kryesorë për arritjen e barazisë gjinore, sidomos në jetën politike, qeverisëse e parlamentare. Për ne, një pjesë e suksesit në përshpejtimin e zhvillimit, demokratizimit dhe integrimit evropian shpjegohet me rritjen e pjesëmarrjes dhe kontributit të grave.Zgjedhjet e fundit parlamentare rikonfirmuan orientimin e pakthyeshëm pro-evropian që shqiptarët kanë zgjedhur dhe shënuan një pjesëmarrje të gjerë të grave, si një komponent konkurrues dhe përcaktues. Ne ia arritëm të ruajmë përfaqësimin e grave në Kuvendin e Shqipërisë në të njëjtin nivel që e kishim: 50 gra nga 140 deputetë, ose rreth 36 përqind e trupës parlamentare.

Roli i grave është i jashtëzakonshëm në l rajonin tonë, ku zhvillimi, bashkëpunimi, demokracia, paqja dhe siguria vazhdojnë të jenë të brishta, ndonjëherë edhe të kërcënuara, si nga demonët e së kaluarës, ashtu edhe nga inercitë e së tashmes, por edhe nga lëvizjet e reja anti-demokratike dhe anti-perëndimore", tha Spiropali.

Më tej kryetarja shtoi se rrugëtimi i grave të Kosovës, nuk është vetëm një histori suksesi kombëtar, por një shembull për të gjitha shoqëritë e dala nga konfliktet në mbarë botën.

"Prandaj, ka një kuptim të veçantë që mesazhet kyçe për gratë, paqen dhe sigurinë të jepen nga Kosova dhe Prishtina, ku pasojat e luftës janë ende të pranishme dhe plagët e së kaluarës nuk janë shëruar plotësisht.  Rrugëtimi i grave të Kosovës, nga trashëgimia e dhimbshme e konfliktit në pozita udhëheqëse, nuk është vetëm një histori suksesi kombëtar. Ky rrugëtim është një shembull për të gjitha shoqëritë e dala nga konfliktet në mbarë botën.

Mos të harrojmë gratë kudo në botë, edhe gratë e Ukrainës, të cilat kanë të njëjtën thirrje. Kam pasur kënaqësinë, përpara disa kohësh, që disa përfaqësuese të tyre të flisnin për vuajtjet dhe dhimbjen, dhe të drejtonin thirrjen e tyre për veprim dhe paqe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shqipëria, dhe institucionet e tjera, gratë dhe e gjithë shoqëria janë të gatshme të vijojnë të bëjnë pjesën e tyre, në partneritet të fortë me Kosovën, me të gjithë miqtë dhe aleatët tanë, dhe këdo që beson tek paqja dhe siguria përmes respektit dhe barazisë”, tha ajo.

Xh.K/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Botërori 2026, si e parashikoni përballjen Shqipëri-Serbi?