Rreth 300 serbë protestuan në Veri të Kosovës për mbylljen e 5 komunave paralele të ngritura nga Serbia. Sipas mediave kosovare, protestuesit janë pjesë e administratës së këtyre institucioneve, të cilat operonin paralelisht me komunat e shtetit të Kosovës.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, tha se mbyllja e komunave paralele në veri të Kosovës, vlerësohet nga blloku si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar, i cili provokon rritje të tensioneve mes Beogradit dhe Prishtinës.
“Ka çështje më të vjetra në tryezë që duhen shqyrtuar. Ne e konsiderojmë këtë shumë të padobishëm dhe hap tjetër të njëanshëm e të pakoordinuar që ka kapacitet të rrisë tensionet dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja.”
Për më tepër, Stano paralajmëroi një takim mes palëve, në nivel kryenegociatorësh, duke mos dhënë një datë konkrete.
“Takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar.”
Më herët, i dërguari i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një vizitë në Prishtinë për të përgatitur raundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.