Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veri-Atlantike përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme, ka bërë të ditur një zyrtar i NATO-s për KosovaPress.
Në një përgjigje me shkrim thuhet se si pjesë e kësaj, SHBA e ka bërë të qartë gjithashtu pritjen e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët.
“NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati. Angazhimi ynë për stabilitet në të gjithë Ballkanin Perëndimor është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë një rol themelor brenda KFOR-it, përmes kontributit të saj të gjatë, i cili aktualisht arrin në mbi 600 trupa,” ka thënë zyrtari i NATO-s.
Reagimi vjen pasi në një artikull të votuar nga Bild, thuhet se pas rivendosjes së kontakteve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Arabinë Saudite ekziston një shqetësim i madh në shumë vende të Evropës për tërheqjen e trupave amerikane.
“Sipas informacioneve tona, bëhet fjalë për kërkesat e Putinit në 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha vendet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”, thekson gazeta.
Komente
