Kosovë, opozita e dërgon në kushtetuese ligjin për pagën minimale

21 Korrik 2023, 20:25| Përditesimi: 21 Korrik 2023, 20:27

  • Share

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, dorëzoi të premten në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për pagën minimale, i cili ngjalli shumë reagime pas miratimit të tij në parlament javën e kaluar.

Ligji për pagën minimale parasheh rritjen e saj në 264 euro, nga 130 deri në 170 sa është aktualisht ndërsa nuk përfshinë kategoritë e dala nga lufta e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se nga Gjykata Kushtetuese kërkohet vlerësimi i kushtetutshmërisë së ligjit në tri çështje kryesore.

“E para Këshilli ekonomik social i cili përcaktohet edhe në ligjin e punës dhe i cili asnjëherë nuk është konsultuar asnjëherë për pagën minimale, tregon për një shkelje flagrante që qeveria e Kosovës e ka bërë. E dyta është diskriminimi i palëve të cenueshme, pra të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve, e të cilët nuk janë përfshirë dhe janë larguar. Ky është një diskriminim dhe shkelje e drejtpërdrejtë e vlerave dhe të drejtave të njeriut që përcakton Kushtetuta e Kosovës dhe e treta lidhet me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rast ky që është eklatant dhe i cili jo vetëm që është shkelje mirëpo lidhet drejtpërdrejt edhe me vlerat që kjo kategori i përfaqëson”, tha zoti Tahiri.

Edhe partia tjetër opozitare, Partia Demokratike tha se i ka doërzuar një kërkesë Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023 nga ana e kryetarit të parlamentit të Kosovës.

Ky subjekt tha se seanca e fundit ku janë miratuar disa ligje të rëndësishme përfshirë edhe Ligjin për pagën minimale është caktuar në kundërshtim me kushtetutën dhe rregulloren e punës së parlamentit.

Shoqatat e dala nga lufta e ish Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, protestuan javën e kaluar në Prishtinë në kundërshtim të ligjit për pagën minimale. Nëse ky ligj hyn në fuqi, për çka kërkohet nënshkrimi i presidentes së vendit veteranët do të vazhdojnë të marrin 170 euro sa është pensioni aktual i tyre.

Në fillim të kësaj jave udhëheqësit e shoqatave të UÇK-së u takuan me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, dhe kërkuan mosdekretimin e ligjit ndërsa paralajmëruan pengimin e funksionimit të parlamentit të Kosovës.

“Veprimet tona nuk lidhen me presidenten, presidentja e ka për obligim ta kryej si duhet punë e saj sepse paraqet unitetin e popullit dhe nuk duhet të krijojë përçarje por kundërshtimet tona vazhdojnë. Ne kemi veçse të paralajmëruar me datën 26 atë që mbahet seanca”, tha Faton Klinaku nga shoqata e Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se “Ligji për pagën minimale do të analizohet nga zyra e saj dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive”.

Sipas qeverisë Ligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj".

Ligji për pagën minimale u miratua pa praninë e opozitës në fund të një dite përleshjesh fizike në parlament që nxitën shqetësime për thellimin e përçarjeve politike dhe polarizimin e shoqërisë në Kosovë./ VOA

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?