Foto ilustruese

Kosova & Rajoni

Kosovë, paralajmërim të gjithë punëtorëve: Mos digjni goma nesër, ja sa do gjobiteni

30 Prill 2018, 16:41| Përditesimi: 30 Prill 2018, 16:43

  • Share

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ua uron të gjithë punëtorëve 1 Majin- Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, me shpresë që të avancohet niveli i të drejtave të punëtorëve dhe duke inkurajuar punëtorët për angazhim në mbrojtjen e të drejtave të tyre, të garantuara me ligj.

Me këtë rast, MMPH paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, dukuri kjo mjaft e shprehur në prag të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj.

“Ndezja e zjarreve dhe në veçanti gomave, për festën e 1 majit, janë veprime që do të ndëshkohen. Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave. Po ashtu edhe Udhëzimi Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore ndalon rreptësisht djegien e gomave, gjegjësisht gjoba është 100 euro".

MMPH, në arsyetimin se përse nuk duhet ndezur goma, thotë se ndezja e tyre në mjedis të hapur liron dioksinën dhe materie tjera të rrezikshme që shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore, raporton 'koha.net'.

“Ndezja e zjarreve të tilla bartë me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për mjedisin, shëndetin dhe për imazhin e Republikës së Kosovës. Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë. Janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar më së shumti fëmijët, ose janë djegur edhe sipërfaqe të tëra me pyje”, thotë MMPH në apelin e saj kundër ndezjes së gomave.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor paralajmëron dënimin e të gjithë atyre që ndezin goma me rastin e kësaj dite, si në çdo ditë tjetër.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?