KOSOVË - Një ditë pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka nënshkruar dekretin që mandaton Albin Kurtin për formimin e qeverisë së re. Vendimi vjen pas propozimit zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje, si partia fituese në zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt të këtij viti.
Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë kohë për të paraqitur në Kuvend përbërjen dhe programin e qeverisë për miratim. Kabineti i propozuar duhet që të sigurojë së paku 61 vota që të miratohet. LVV siguroi 48 vende në Kuvend në zgjedhje, dhe do t'i duhet një koalicion për të siguruar votat e nevojshme.
Nëse nuk arrin votat, Osmani brenda 10 ditëve duhet të ftojë partitë për konsultim për të caktuar mandatarin e ri, atë që ka më shumë gjata të formojë qeverinë. Edhe mandatari i ri ka 15 ditë kohë që të paraqesë përbërjen e re. Nëse edhe përpjekja e dytë dështon, presidentja sipas Kushtetutës, duhet që të shpallë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Partia e Kurtit gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me pakicat joserbe, që kanë 10 deputetë. Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit dhe deputete e LVV, partia e saj është e hapur për koalicion me të gjitha partitë, përjashtuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listën Serbe.
Dje, zgjedhja e Nenad Rashiç (i pakicës serbe) si nënkryetar i pestë i Kuvendit, i dha fund krizës politike që ishte krijuar që nga seanca e parë konstituive në Prill. 71 deputetë votuan pro tij. LDK bashkoi votat me Vetëvendosjen, ndërsa PDK e cila abstenoi, kërkoi zgjedhje të parakohshme. Edhe Lista Serbe votoi kundër pasi 9 nga kandidaturat e propozuara prej saj dështuan që të siguronin votat e nevojshme.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar të shtunën Nenad Vukmiroviçin si ushtrues të detyrës së ministrit për Komunitete dhe Kthim.
Emërimi i tij vjen pasi ministri i deritanishëm në detyrë, Nenad Rashiç u zgjodh të premten nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
I lindur në Mitrovicën e Veriut, Vukmiroviç më parë ka qenë edhe drejtor i Arsimit në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Emërimi i tij vjen pak orë pasi Kurti u mandatua nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për të provuar ta formojë Qeverinë e re.
Sipas Kushtetutës së vendit, Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim./ REL
Komente
