Hajrulla Çeku

Kosovë, prezantohet koncepti fillestar i Lojërave Mesdhetare 'Prishtina 2030'

19 Shtator 2023, 11:11| Përditesimi: 19 Shtator 2023, 11:15

  • Share

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, përmes një konference për media ka prezantuar konceptin fillestar të Lojërave Mesdhetare 2030 të cilat do të mbahen në Kosovë.

Ministri ka thënë se për gjashtë vitet e ardhshme janë zotuar mbi 253 milionë euro si buxhet i veçantë për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

 “Koncepti me të cilin kemi fituar aktualisht ka dy shtete dhe 11 komuna të cilat do të shndërrohen në qendra të këtij organizimi, duke përfshirë 10 komuna në Kosovë dhe komunën e Durrësit në Shqipëri”, theksoi Çeku.

Përgjatë prezantimit, Çeku tha se sportet do të shtrihen në komuna të ndryshme, përfshirë rreth 25 %të sporteve dhe garave që do të zhvillohen në Prishtinë, 9% në Podujevë, Gjakovë e Pejë, 6% në Prizren, Gjilan e Mitrovicë, si dhe 3% në Skenderaj, Drenas, Ferizaj e Durrës.

Tutje, ministri tha se parashihet edhe renovimi i plotë i Qendrës së Studentëve që do të shërbejë për nevojat e Fshatit Mesdhetar, ndërsa më pas do të ofroj kushte të mira edhe për studentët.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, nga ana e tij, tha se 8 shtatori 2023, data kur Kosova u konfirmua si vendi ku do të mbahen Lojërat Mesdhetare 2030, është tani datë historike për sportin kosovar.

Krasniqi tha se marrja e organizimit të një ngjarje kaq madhore të cilës rinia kosovare do t’i gëzojë të mirat për dekada me radhë, ka qenë premtim dhe synim i tij dhe i KOK-ut.

“Ka një vit që jemi përballur me sfida të ndryshme për ta përjetuar këtë moment historik. Sfida më e madhe ishte mungesa e daljes në det, e cila na penalizoi dhe na detyroi ta ndryshojmë statusin, ku do të duhej të ndryshohej kjo pikë”, theksoi Krasniqi.

Në konferencë u bë e ditur se janë 24 objekte sportive prej të cilave 10 do të rinovohen, katër do të ndërtohen të reja, do të vazhdohet puna për pesë të tjera të cilat veçse janë në ndërtim, ndërsa do të bëhen edhe pesë investime të përkohshme që do t’i shërbejnë sportistëve në disiplina të ndryshme si 3X3 basketboll, lundrim, çiklizëm e të tjera.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?