Prokuroria Speciale e Kosovës

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Prokuroria Speciale kërkoi paraburgim për të dyshuarin për krime lufte në Vushtrri, Gjykata jep vetëm një muaj!

19 Gusht, 12:30| Përditesimi: 19 Gusht, 15:57

  • Share

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim për S.S., i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Vushtrri.

Gjykata tha se gjyqtari i procedurës paraprake, gjatë seancës dëgjimore të mbajtur më 19 gusht, vlerësoi se “janë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.S.”, pasi shtoi se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer këtë vepër penale.

Sipas Themelores, nëse S.S. gjendet në liri, ai mund të arratiset pasi që është shtetas i Serbisë, andaj argumentoi se ka gjasa reale që ai më pas të jetë i paarritshëm nga gjyqësori kosovar.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06.04.1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i pandehuri S.S. me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, me uniforma të policisë dhe ushtrisë së Serbisë në fshatin Reznik të Vushtrrisë gjatë një aksioni mirë të organizuar kishin plaçkitur e djegur shtëpi dhe kishin vrarë civil të paarmatosur dhe atë I.U., M.U. me bashkëshortet, po ashtu B.U., F.U., S.U. dhe F.U., gjatë ditës kritike ishin vrarë edhe T.U. me bashkëshorten H.U.", tha Gjykata Themelore.

"Ndërsa, pas plaçkitjes së parave, e kishin marr me dhunë viktimën B. e kishin dërguar në katin e dytë të shtëpisë, ku fillimisht e kishin rrahur, maltretuar dhe dhunuar seksualisht njëri pas tjetrit, me ç'rast i kishin shkaktuar të njëjtës lëndime të rënda trupore”, shtoi ajo.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Speciale njoftoi se kishte bërë kërkesën për masën e paraburgimit. S.S. u arrestua në pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën dhe Serbinë në Merdarë më 17 gusht dhe u dërgua në ndalim policor prej 48-orësh.

Prokuroria tha se S.S. dyshohet se në bashkëpunim me “me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervistë aktivë me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë”.

S.S., sipas Prokurorisë Speciale, dyshohet se më 6 prill të vitit 1999, gjatë një aksioni ka plaçkitur, djegur shtëpi si dhe “dhunë fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur”. Autoritetet e drejtësisë thanë se ndaj të dyshuarit kanë siguruar prova materiale, përfshirë edhe dëshmi të dëshmitarëve. Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998-’99.

Javën e kaluar, Prokuroria po ashtu dorëzoi një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?