Qeveria e Kosovës ka vendosur një sërë masash të reja me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të infeksionit nga koronavirusi.
Në mbledhjen e mbajtur sot, ekzekutivi Kosovar vendosi që mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, ndërsa të moshuarit do të kenë orar të caktuar se kur mund të lëvizin.
Në mbledhje u vendos po ashtu që qytetarët nga Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, që do hyjnë në kufij, duhet të paraqesin një test negativ për koronavirusin i cili të jetë jo më të vjetër se 72 orë.
Përjashtohen nga ky vendim, të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, që do të jenë transit në Kosovë
U caktua gjithashtu dhe orari i kufizimit të lëvizjes për qytetarët në Komunat e Mitrovicës së Jugut, Gjilanit, Fushë Kosovës dhe Shtërpcës nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive në ambiente të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës pezullon gjithashtu edhe ceremonitë fetare; si dhe ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.
Në Kosovë, që prej 13 marsit, e deri më tani janë regjistruar 4,930 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Bilanci i vdekjeve nga kjo sëmundje, ka shkuar në 102.
Më herët, ministri I Shëndetësisë Armend Zemaj, njoftoi se në luftën kundër pandemisë do të angazhohet një numër më i madh mjekësh dhe inspektorësh sanitarë.