Qeveria në detyrë e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL) se ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta në Kosovë, “në përputhje me kushtet e përcaktuara”.
“Përgjatë një periudhe njëvjeçare, deri në pesëdhjetë persona mund të zhvendosen përkohësisht, me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Qeveria ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet, me mundësinë për të përzgjedhur individë nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik”, tha Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë, në një deklaratë për REL-in.
Ai shtoi se informacione të tjera do të jepen ndërkohë.
Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka konfirmuar për REL-in më 6 qershor se vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.
“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi DASH-i, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.
“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.
Nga DASH-i theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.
Qeveria në detyrë e Kosovës tha se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës.
“Partneriteti ynë i ndërsjellë, i ndërtuar ndër dekada, mbështetet në vlera të përbashkëta dhe bashkëpunim. E vlerësojmë lart mbështetjen e tyre, sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit në institucionet euroatlantike”.
Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar median Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.
Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.
Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi./REL
Komente

Mos e beni kete gabim.Mos krahasoni veten kur ju perzuri serbi e ju pranoi gjithe bota me keta emigrante.Ju u detyruat te largoheshit nga lufta,keta po i largon Trump ne kohe paqe,ne kundershtim me kushtetuten,pa ju lene mundesi te prezantojne ceshtjen e tyre para gjyqit te emigracionit,pa mundur te takojne as avokat,e disa nuk jane kthyer as ne vendet e tyre,por Trump po perpiqet t'i dergoje ne vende te treta si anglezet tentuan te dergonin shqiptaret ne Ruanda.E dini te dashur kosovare qe nje gjykates federal ja ka ndaluar Trumpit t'i perzere emigrantet ne vende te treta si Kosova,etj si antikushtetuese? E dini qe e gjithe Amerika eshte ngritur ne mbrojtje te emigranteve e ne protesta kunder Trump? E dini qe nje protestues kalifornian qe kishte dale kunder ICE kur u pyet nga gazetaret per plumbat plastike e gazin lotsjelles qe u hodh kunder protestuesve,tha se /ka shijen e fashizmit/? E dini qe kete fundjave do te kete 1800 protesta ne te gjithe U.S kunder Trump me titullin/No kings/? E di qe i jeni mirenjohes te perjetshem kundrejt U.S,por sot duhet te tregoni kujdes ne cilen ane te historise do te jeni.Mos u beni kukulla te Trump e neser t'ju tregojne me gisht gjithe bota demokratike.Trump 3 vite e gjysem eshte,po e bete kete gje,do ju mbetet si turp historik i perjetshem.
Përgjigju