Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka reaguar pas deklaratave të ministrave serbë Ivica Daciç dhe Aleksandër Vulin. Ai dënon deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë dhe pret reagim edhe nga ndërkombëtarët
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daciç, në një emsion televiziv ka deklaruar më parë se serbët po i tregojnë varret masive të shqiptarëve në Serbi. Në të njëjtën kohë, ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, në një deklaratë zyrtare i ka quajtur shqiptarët me termin fyes “shiptarima”.
Hoti i ka cilësuar deklaratat e tyre si mungesë e thellë respekti për viktimat e luftës në Kosovë.
”Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Hoti.
Shkrimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë ndaj disa deklaratave publike të zyrtarëve të lartë të Serbisë, të cilët hapur vazhdojnë të shfaqin mungesë të thellë respekti për viktimat e luftës së fundit në Kosovë, si dhe familjet e tyre, të cilat, qe dy e më shumë dekada, vazhdojnë t’i kërkojnë me dëshpërim të afërmit e tyre të rrëmbyer nga forcat serbe.
Këto deklarata skandaloze, përveçqë fyejnë rëndë të gjitha viktimat e krimeve serbe, dëshmojnë para botës se Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar mijëra civilë të pafajshëm.
Qeveria e Republikës së Kosovës e kundërshton këtë mendësi politike dhe presim që këtë ta bëjë edhe bashkësia ndërkombëtare, veçmas Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si faktorë të pazëvendësueshëm të ndërtimit të paqes dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të punojë me përkushtim për një të ardhme paqësore të rajonit dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë fuqishëm me aleatët perëndimorë për integrimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të vendeve të qytetëruara e demokratike euroatlantike, në të cilën nuk ka vend për urrejtje ndaj etnive të tjera.
Bashkimi Evropian pret nga liderët në Ballkanit Perëndimor që të përmbahen nga deklaratat të cilat mund të jenë në dëm të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit.
Kështu deklaroi të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kur është pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, ndaj serbëve që tregojnë se ku janë varrezat e shqiptarëve nëpër Serbi.
“Do të duhej të ishte e qartë për të gjithë përfaqësuesit e vendeve të cilat kanë aspirata për t'u anëtarësuar në BE, se ata do të duhej të përmbushin obligimet e tyre për të forcuar raportet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal. Këto janë vlera të cilat i mbron dhe avancon BE-ja. Liderët politikë duhet vërtetë të jenë shembull duke zgjedhur që të punojnë së bashku, të promovojnë bashkëpunimin dhe klimën e besimit të ndërsjellë, respektit dhe mirëkuptimit, e jo të japin deklarata që shkojnë në të kundërtën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
Stano ka thënë se në përgjithësi, BE-ja nuk i komenton deklaratat e politikanëve, por ditëve të fundit kanë vërejtur se disa deklarata që nuk shkojnë në drejtim të rritjes së mirëbesimit dhe pajtimit mes popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka bërë disa deklarata, që në Kosovë janë konsideruar kërcënuese, për serbët që bëjnë të ditura lokacionet e shqiptarëve të varrosur në territorin e Serbisë.
“Mos u merrni me amerikanët, gjermanët, turqit dhe gjithë të tjerët. Çfarë të bëjmë me serbët të cilët flasin budallallëqe të ndryshme, iu tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku janë të varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, ka thënë ai për një televizion në Serbi.
Çështja e të pagjeturve është njëra prej temave për të cilën është diskutuar në takimet e fundit, të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Bashkëpunimi me strukturat ndërkombëtare të drejtësisë dhe procedimi i krimeve të luftës është një prej kushteve për integrimin evropian të vedneev të Ballkanit Perëndimor. Ky kusht pritet të përsëritet në paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit të cilat Komisioni Evropian do t’i miratojë të martën.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës i ka cilësuar si “skandaloze” deklaratat e zyrtarëve serbë duke shtuar se këto deklarata dëshmojnë se “Beogradi zyrtar, gjatë gjithë këtyre viteve, qëllimisht dhe vetëdijshëm i ka mbuluar gjurmët e krimit, duke e mbajtur fshehur vendndodhjen e varrezave masive, në të cilat kanë përfunduar qindra-mijëra civilë të pafajshëm”.