Protesta në Kosovë

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Realiteti në mospërputhje me statistikat: Shumë gra s’ndihen të sigurta natën

4 Tetor, 23:01| Përditesimi: 4 Tetor, 23:11

  • Share

Dy orë pas mesnatës, Arlinda dhe disa kolegë të tjerë të saj përfudojnë orarin e punës në një qendër thirrjeje në Prishtinë, që ofron shërbime për konsumatorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në grupin e saj ka vajza dhe djem. Dhe që të mos rrezikohen, Arlinda dhe koleget e saj janë këshilluar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës që të dalin nga zyra së bashku në grupe, ose të shoqëruara nga kolegët djem.

“Një natë, një kolegen time e pati ndjekur një burrë nga zyra jonë deri te vendi ku rrinë taksistët”, thotë Arlinda për Radion Evropa e Lirë.

Ajo preferon të mbajë anonimitetin, në mënyrë që familjarët e saj të mos shqetësohen për sigurinë e saj.

Por, prindërit e shumë vajzave në Kosovë e dinë se të bijat e tyre nuk janë të sigurta nëse dalin në rrugë pasi të errësohet.

“Unë kam shumë shoqe që jetojnë në fshatra. Mirëpo, e di që kur të bëhet terr, ato del i merr dikush tek autobusi, ose thjesht nuk dalin fare”, thotë Besarta Breznica, aktiviste feministe, për Radion Evropa e Lirë.

Ky realitet, megjithatë, nuk reflekton në një studim të shpërndarë në rrjete sociale nga fytyra të shumta publike në Kosovë në ditët e fundit.

Bëhet fjalë për një raport të qendrës amerikane të kërkimeve, Gallup, i cili vlerësoi se Kosova është shteti i tretë më i sigurt në Evropë, sipas perceptimeve të qytetarëve.

Në këtë raport, siguria i referohet asaj “se sa të sigurt ndihen njerëzit në komunitetet e tyre” dhe matet përmes katër pyetjeve:

A ndiheni të sigurt duke ecur vetëm natën në qytetin ose zonën ku jetoni?

A keni besim në forcën lokale të policisë në qytetin ose zonën ku jetoni?

Brenda 12 muajve të fundit, a ju janë vjedhur para ose pronë juve ose ndonjë anëtari tjetër të familjes?

Brenda 12 muajve të fundit, a jeni sulmuar ose grabitur?

Dhe përmes përgjigjeve në këto katër pyetjeve, Gallup tha se 89 për qind e qytetarëve të Kosovës ndihen të sigurt - dy për qind më pak se në Norvegji, po aq sa në Danimarkë dhe më shumë se kudo tjetër në Evropë.

Kështu, Kosova radhitet edhe e 12-ta në botë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe shtatë vajza nga Kosova që në vitet e fundit janë shpërngulur dhe tani jetojnë në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore dhe Veriore dhe të gjitha kanë thënë se ndihen më të sigurta në vendet ku tani jetojnë: Gjermani, Zvicër, Austri e Belgjikë.

Por, pse grafika e shpërndarë qysh nga 22 shtatori edhe nga zyrtarë si kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk i reflekton këto realitete të përjetuara të shumë grave nga Kosova?

Sepse, ajo tregon vetëm mesataren në Kosovë. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga qendra Gallup të dhëna të ndara për gjini dhe ato tregojnë se dallimi mes burrave dhe grave është i dukshëm sa i përket ndjenjës së sigurisë që kanë.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se rastet e ngacmimeve dhe sulmeve seksuale në Kosovë, vitin e kaluar arritën nivelet më të larta - me 102 raste të ngacmimeve seksuale dhe 74 raste të sulmeve seksuale.

Deri më 29 shtator të këtij viti, në Kosovë janë raportuar 55 raste të ngacmimit seksual, 54 raste të dhunimit dhe 38 raste të sulmit seksual.

Edhe pse REL-i ka kërkuar që të dhënat të ndahen sipas gjinisë së viktimës, Policia e Kosovës nuk i ka bërë të disponueshme. Megjithatë, sipas disa të dhënave që ky institucion ka dhënë më parë, shumica e viktimave janë gra.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thekson se, realisht, në Kosovë ndodhin më shumë raste të tilla sesa që raportohen.

“Fillimisht ka shumë procedura burokratike, me të cilat viktimat ngarkohen jashtëzakonisht shumë. Një viktimë duhet t’i bëjë pesë deklarata në institucione të ndryshme. Rrjedhimisht, është ngarkesë e madhe për një viktimë”, thotë Breznica.

Ajo shton se edhe dënimet e ulëta shpeshherë të shqiptuara nga gjykatat themelore, si dënime me gjobë, i dekurajojnë të mbijetuarat t’i raportojnë rastet.

Breznica përmend edhe shumë probleme të tjera që thotë se e vështirësojnë jetën për gratë në Kosovë dhe e bëjnë vendin më pak të sigurt për to.

Ndër këto probleme është edhe mungesa e ndriçimit publik në shumë fshatra e qytete, e madje edhe në disa lagje të Prishtinës. Por, ajo thotë se problem mbetet edhe tregu i zi i armëve.

“Përderisa kemi një treg të tillë, nuk besoj që Kosova mund të jetë vendi i tretë më i sigurt në Evropë. Ka ende shumë për t’u bërë në aspektin e sigurisë së grave dhe vajzave”, thotë Breznica.

Injorimin e kësaj situate kur të dhënat e përgjithshme të Gallupit janë shpërndarë nga zyrtarë publikë, Breznica e shpjegon me disa mundësi.

“Sepse, gratë shihen si persona sekondarë dhe njihen si ‘seksi i dytë’. Disa ndoshta edhe nuk janë të informuara se çfarë po ndodh në praktikë me gratë dhe vajzat”, thotë ajo.

“Në anën tjetër, disa i injorojnë problemet e grave dhe vajzave, se shihen si probleme që i shkaktojnë vetë. Disa vendosin t’u qesin pluhur syve, të besojnë në gjëra që nuk përkojnë me realitetin”, përfundon Breznica.

Nga viti 2010 deri në mars të vitit 2025, në Kosovë janë vrarë 59 gra - në të shumtën e rasteve nga bashkëshortët. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna./ REL

A.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?