Shefi Misionit i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, Lars Gunnar Wigemark, ka vizituar Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësuesit politikë, shoqërinë civile dhe njësinë policore të EULEX-it.
Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se situata e sigurisë në Veri është shumë e brishtë dhe banorët janë të frikësuar.
“Pas takimeve që kam pasur sot në Mitrovicën e Veriut me liderët politikë, shoqërinë civile dhe njësinë e formuar policore të EULEX-it, është e qartë se gjendja e sigurisë është shumë e brishtë dhe se njerëzit vendas janë të frikësuar. EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të gjithë duhet të tregojnë përmbajtje maksimale”, shkruan në një postim në Twitter.
Më 8 nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar pasi Qeveria e Kosovës nisi të zbatojë planin në tri faza për ri regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS( Republika e Kosovës).
Më 5 nëntor, “Lista Serbe” vendosi largimin nga institucionet e Kosovës, nga gjyqësori, Policia, Dogana. Ata kanë deklaruar se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës, deri në momentin kur Qeveria e Kosovës do të tërheqë vendimin për targat dhe fillon themelimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.