Kosova & Rajoni

Kosovë/ Shkodra për Report Tv: Kurti ka thirrur PDK e LDK për qeveri të gjerë, me Limajn i brishtë! Përçarja me Osmanin e konfirmuar, ja pse s’erdhi Kallas! Serbia s’heq dorë nga kërcënimet

7 Prill, 13:16| Përditesimi: 7 Prill, 13:24

  • Share

Serbia nuk ndalet në synimet e saj për ta destabilizuar Kosovën dhe 16 arrestimet e fundit nga Policia dhe Ministria e Brendshme të elementëve kriminalë që cenonin sigurinë, kryesisht në Veri të saj, tregoi më së miri se rrezikshmëria që nga ngjarjen e Banjskës nuk kanë kaluar.

Për më tepër kur zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë krijuan një mazhorancë jo të qartë, ku Albin Kurti nuk e arriti dot shumicën, por as forcat opozitare nuk mundën të siguronin mandate të fuqishme për ta krijuar vetë dhe do të duhet një aleancë e brishtë.

Për këto tema ishte e ftuar në emisionin 'Sot, Live në Shqipëri' (7 prill), analistja kosovare Magbule Shkodra. E pyetur nga moderatori Nertil Agalliu, ajo bëri një analizë të situatës aktuale për Report Tv.

Sikurse dha edhe lajmin se kryeministri Kurti u ka dërguar ftesë zyrtare LDK dhe PDK për të diskutuar për formimin e qeverisë, edhe pse në të ftesa shënon se bëhet për Konstituimin e Parlamentit, kompetencë që nuk është e Kryeministrit në fakt.

Ndërsa ndarja mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, tashmë është e konfirmuar edhe pas reagimeve të fundit për tarifat doganore të presidentit Amerikan, Donald Trump.

“Policia e Kosovës ka arrestuar 16 serbë, kurse kryeministri Albin Kurti ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë për këtë ngjarje. Akuza Serbisë për këtë situatë të krijuar në Kosovë me ndikim apo ndërhyrje të drejtpërdrejta të Beogradit, duke tentuar shpërthim të tensioneve, siç e deklaroi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Synime nga Serbia janë të vazhdueshme dhe kërcënimet janë aty. Ndonjëherë kemi kritikuar se po krijohet një lloj paniku të qytetarët dhe investitorët që largohen, por reagimi i fundit me 16 arrestimet e fundit, si dhe rasti i banjskës tregoi se kërcënimi i Serbisë është aty. Edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë tregon se situata është serioze. Edhe para zgjedhjeve në veri të Kosovës pati struktura të caktuara paramilitare të organizuara, që kishin qëllim detyrimin e votimit të listës serbe. Kritika ime është pse qeveria e Kosovës nuk ka marrë masa për rastin e veriut të Kosovës që të sigurojë sovranitet dhe siguri atje, që qytetarët serbë të votojnë të lirë. Ngjarjet e fundit tregojnë se ka kërcënime dhe duhet një reagim që situata të merret seriozisht në Kosovë”, shprehet Shkodra.

Ndarja e Osmanit me Kurtin tashmë mbetet evidente pas deklaratave për tarifat doganore të Trump, që prekin edhe Kosovën me 10%.

“Ndarja e Kurtit me Osmanin po vazhdon, këtu e kemi vërejtur të gjithë se raportet nuk janë të mira. Madje fjalimi i presidentes në Parlamantin e Kosovës në fundviti e tregoi edhe më shumë.Edhe rasti me taksat e tarifat doganore të presidentit Trump edhe për Koovën me 10%, tregoi edhe njëherë ndasinë mes Osmanit dhe Kurtit. Kjo tregon se nuk ka dakordësi mes tyre. Këto gjëra zgjidhen jo publikisht dhe takohen për qasjen e problemit. Osmani reagoi në mënyrë zyrtare dhe postimi i saj në rrjetet sociale tregoi se komunikimi mes tyre është vetëm zyrtar”, shpjegon analistja kosovare për Report Tv.

Shkodra nënvizon se Kurti me Fatmir Limajn mund ta bëjë qeverinë me 3 mandatet që ky i fundit ka marrë, por shumica e brishte me 61 deputetë nuk i garanton qeverisje të sigurt për votime ligjesh apo marrëveshjesh. Ndaj edhe Kurti duket se ka ftuar kryetarët e dy partive të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, ndoshta edhe për një qeverisje me bazë të gjerë.

“Kemi pasur informacion për takimin e Kurtit me Fatmir Limaj për formimin e qeverisë. Me 3 mandatet e Limajt qeveria siguronte shumicën e thjeshtë me 61 mandate dhe kjo do e bënte përsëri qeverinë e Kosovës të brishtë dhe nuk i siguron vazhdimësi, nuk do merrte dot vendime të mëdha apo në lidhje me marrëveshjet ndërkombëtare. Lajmi i fundit është se Kurti i ka bërë ftesë kryetarit të LDK-së zyrtarisht, por edhe të PDK-së në rrjetet sociale, të dyja partitë e mëdha opozitare kanë marrë ftesa. Në ftesë thuhet se është për kknstituimin e Kuvendit, por kjo është në fakt kompetencë e kryeparlamentarit Konjufca dhe Kurtit, ndaj më shumë këto ftesa kanë të bëjnë për të parë qasjet e dy partive për qeverisjen nga afër. E mira e Kosovës do të ishte që për rrethanat gjeopolitike dhe pasigurinë e krijuar, do ishte mirë qeverisja gjithpërfshirëse, me bazë të gjerë. Mund të jetë edhe politikisht, për të thënë “ja unë i ftova për qeverisje”, por të presim e të shohim se çfarë do ndodhë”, vijon analistja për 'Sot, Live në Shqipëri'.

Dhe në fund një shpjegim për anashkalimin që kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas i bëri Kosovës dhe Serbisë në turin e saj që nisi sot, 7 prill në Malin e Zi, e vijon nesër në Tiranë dhe të mërkurën e mbyll në Bosnjë Hercegovinë. Shkodra mendon se anashkalimi lidhet për shkak të situatës politike, pasi Kosova nuk ka ende qeveri pas zgjedhjeve dhe Serbia ka probleme gjithashtu politike dhe qeverisëse.

“Arsyeja kryesore e mosardhjes së Kaja Kallas në Kosovë mendoj se është mospasja e një adrese zyrtare përagjendën e takimeve të saj dhe për hapat e mëtejshëm të dialogut dhe normalizimit të dialogutKosovë-Serbi. Pasi të krijohet qeveria e re mendoj se është arsyeja pse u shty edhe vizita, e jam e sigurt se do vij ta takoj dhe kryeministrin e ri për të çuar marrëveshjen dypalëshe më tutje. Ta takoj që të shihet se si është ideja e ecjes më tutje. E njëjta situatë edhe për Serbinë, pas gjendjes atje. Pra ideja është që vizita dhe takimet bëhen me dike që ka në dorë apo ka në dorë vendimmarrjen dhe jo sa për të ardhur”, përfundon ajo.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?