Deri në orën 18:00 të gjitha partitë politike në Kosovë të deklarojnë koalicionet e tyre parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërkohë sot pritet që të zyrtarizohet edhe koalicioni mes Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Lajmin e bën të ditur Naim Murseli, këshilltari i politik i Behgjet Pacollit.
“Sot deri në ora 18:00 do të deklarohet koalicioni parazgjedhor me LDK-në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një bashkëpunim konstruktiv dhe i natyrshëm. Një listë e përbashkët e një koalicioni fitues”, shkruan Murseli.
Gjithashtu një tjetër koalicion që pritet të dorëzohet sot është dhe ajo e PDK-së me Nismën e Fatmir Limajt.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, deklaroi një ditë më parë se një koalicion i sinqertë dhe me zemër mes PDK-së dhe Nismës do të dilte fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme me në 14 Shkurt, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshme votën e Etem Arifit dhe kështu duke hedhur poshtë legjitimitetin e qeverisë Hoti.