Kosovë- Parlamenti në Kosovë dështoi sërish që të konstituohej. Edhe në seancën e kësaj të enjteje, mandatet nuk u verifikuan, pasi raporti i komisionit të përkohshëm të verifikimit të mandateve nuk u hodh në votim.
Në nisje të seancës, drejtuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avni Dehari nga LVV, thirri grupet përfaqësuesit e partive në një konsultim ku nuk u arrit dakordësi për rrugën që do të ndiqet.
Dehari pas konsultave e shpërndau seancën dhe njoftoi një mbledhje tjetër pas dy ditësh.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që i braktisën takimin. Nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve në orën 12:00, 19 prill. Me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri. Ju faleminderit të gjithëve dhe mirupafshim së shpejti”, tha Dehari, ndërsa deputetët nisën të dilnin nga salla kryesore e Kuvendit. tha Avni Dehari.
Para ndërprerjes së seancës, siç tha kryesuesi, në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë
Të martën u bë tentative e parë për konstituimin e cila dështoi. Deputetët nuk miratuan verifikimin e mandateve. Opozita pretendon se qeveria e Albin Kurtit nuk ka kryer aktin formal të dorëheqjes me përfundimin e mandatit të qeverisë.
Kurti të martën dorëzoi një letër dorëheqjeje të cilën ia drejtoi ish kryetarit të parlamentit Glauk Konjufca.
Megjithatë në seancën e parë, VV tregoi se nuk ka 61 vota as për verifikimin e mandateve, as për miratimin e kryetarit të parlamentit dhe as për të votuar qeverinë e re.
Opozita sot akuzoi se kurti po vonon procesin e konstituimit të parlamentit që të blejë kohë.
Komente
