Gjykata e Prishtinës, gjatë vendimit ditën e sotme

Kosova & Rajoni

Kosovë/ Sulmi ndaj zyrave të KQZ-së, Gjykata e Prishtinës dënon me 12 vjet burgim në total 3 nga të akuzuarit

28 Korrik, 09:25| Përditesimi: 28 Korrik, 10:36

  • Share

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë Millun Millenkoviq – Llunen, Aleksandar Vllajiqin dhe Dejan Pantiqin për sulmin ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022.

Millenkoviq – Llune dhe Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërsa Pantiqi me dy vjet burgim. Millenkoviqit dhe Vllajiqit do t'iu llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Miomir Vakiq është liruar nga akuzat, sepse nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale, u mbrojt në liri. Asnjëri prej të akuzuarve nuk ka qenë në sallën e gjyqit të hënën. Ata kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi.

Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj këtyre katër personave dhjetor të vitit 2023 për veprën penale “akt terrorist”.

Ata akuzoheshin se kanë sulmuar zyrat e KQZ-së me bomba dore dhe mjete shpërthyese, me qëllim – siç thuhet në aktakuzë – “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”. Sipas prokurorisë, nga ky sulm janë rrezikuar seriozisht jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Në seancën e parë, të mbajtur në fund të janarit 2024, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë të hënën se mirëpret vendimin e marrë në gjykatë.

“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë dhe dërgon një mesazh se aktet e dhunës dhe kërcënimet ndaj institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të tolerohen”, është thënë në një reagim të Prokurorisë në Facebook.

Kush është Millun Millenkoviq – Llune?

Ai përmendet si organizatori kryesor i sulmit ndaj zyrave të KQZ-së. Pas arrestimit të tij më 13 qershor 2023 në Mitrovicën e Veriut, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Policia kishte arrestuar “njërin nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’, i cili ka drejtuar grupe kriminale që për vite me radhë kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”.

Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si terroriste.

Sveçla, po ashtu, e ka lidhur Millenkoviqin me organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan, kur tensionet shpërthyen pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Nga përplasjet u plagosën mbi 100 persona nga të dyja palët.

Në anën tjetër, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka mohuar që Millenkoviq të jetë kriminel, duke e quajtur “luftëtar të shquar për interesat kombëtare serbe në veri të Kosovës”. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte reaguar pas arrestimit, duke thënë se ka biseduar me zyrtarë ndërkombëtarë për këtë çështje.

Procesi gjyqësor dhe dëshmitë e Prokurorisë

Deklaratat përfundimtare të mbrojtjes u dhanë të premten, ku u theksua se aktakuza pjesërisht bazohet në komunikime të përgjuara përmes aplikacionit Viber. Avokatët i mohuan akuzat ndaj klientëve të tyre.

Portali “Betimi për Drejtësi”, që ndjek rregullisht proceset gjyqësore në Kosovë, raportoi se avokati Lubomir Pantoviq deklaroi se të gjitha provat e përfshira në aktakuzë mbështeten në raporte dhe dokumente policore, pa ndonjë përshkrim konkret të veprimeve të pretenduara të të akuzuarve.

Kush janë të akuzuarit për terrorizëm?

Më 6 dhjetor 2022, në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut u hodhën dy mjete shpërthyese, nga të cilat njëra eksplodoi.

Për këtë rast, më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës u arrestua Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, veprim që nxiti krizë në veri dhe vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë. Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pasi një vendim gjyqësor e lejoi Pantiqin të mbahej në arrest shtëpiak.

Më 13 qershor 2023, në Mitrovicën e Veriut u arrestua Millun Millenkoviq – Llune. Arrestimi i tij u pasua nga ndezja e sirenave të alarmit në qytet, çka solli grumbullime të qytetarëve. Gjatë periudhave të tensionuara në veri, këto sirena janë përdorur për të mobilizuar popullatën – dyqanet, barnatoret dhe hapësirat komerciale mbylleshin, ndërsa grupe të organizuara dilnin në rrugë ose vendosnin barrikada.

Nuk dihej kush i menaxhonte këto sirena, por në dhjetor 2023, Policia e Kosovës njoftoi se kishte konfiskuar në Mitrovicën e Veriut një sirenë alarmi me gjashtë altoparlantë.

Aleksandar Vllajiq u arrestua nën dyshimin se kishte mbledhur dhe transmetuar informacione konfidenciale për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA). Ai u akuzua më pas në një rast të veçantë për spiunazh dhe në fillim të qershorit u dënua me pesë vjet burg. Vllajiq e pranoi fajësinë për rastin e spiunazhit, por e mohon përfshirjen në sulmin ndaj KQZ-së.

Gjatë gjykimit, prokuroria paraqiti prova se edhe Miomir Vakiq ka qenë i përfshirë në sulm. Janë prezantuar mesazhe që ai ka shkëmbyer me të akuzuarin Dejan Pantiq, në të cilat Pantiq shkruan: “Këtu po bien dardhat”, ndërsa Vakiq i përgjigjet: “hidhuni ndonjë mollë”.

Sipas prokurorisë, kjo gjuhë e koduar nënkuptonte vendndodhjen e policisë dhe përdorimin e bombave. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?