Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës ka pezulluar sot nga detyra e tij profesorin Xhevat Krasniqi, i cili është denoncuar për ngacmim seksual nga 27 studente.
“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe me rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të prof. Xh.K. me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë së shtetit”, thuhet në vendimin e Rektoratit, shkruan Koha.net.
Këshilli i Etikës ka thënë më tej se refuzon sulmet nga persona brenda dhe jashtë UP-së, duke kërkuar “përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulmi ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit”.
Sipas një ankueseje, profesori i Fakultetit të Edukimit po jepte edhe lëndën e Matematikës në Fakultetin e Mjekësisë, e aty thuhet se kishte “demonstruar me duar fjalën ‘masazh’.
“Kam hyrë të konsultohem me profin në fjalë dhe për të shikuar se ku m’i ka hequr 0.5 pikë nga provimi, e le që përgjigjen nuk e mora, por dola e tronditur nga ajo zyrë me një përgjigje aspak adekuate, morale dhe joprofesionale”, ka thënë njëra nga studentet në ankesën e saj që është paraqitur në Këshill. “E këtu po i citoj fjalët e tij: ‘Unë jam i drejtë në vlerësim, e kështu jam i drejtë, kur dush të bëj masazh’, i cili ma ka demonstruar me duar fjalën ‘masazh’ dhe është afruar për të më përqafuar”, thuhet në ankesën e saj.
Ditën e djeshme studentet protestuan në sallën ku do të mbahej mbledhja e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës.
Një prej tyre u ballafaqua me profesor Krasniqin, duke i thënë se ai e ka ngacmuar atë.
“Më ke thënë a dëshiron me t’bo masazh, pranoje që edhe nga universitetet e tjera je larguar për ngacmim seksual. Pranoje kush je! Kam pasur frikë para një viti, sot nuk kam më frikë, dal para të gjithëve”, tha studentja.
Ndërkohë që i gjendur në këtë situatë profesori dëgjohet të bëjë një telefonatë, përmes të cilës tregon se i është bllokuar dalja nga administrata qendrore e universitetit.