Radio Televizioni i Kosovës ka publikuar një audiopërgjim ku është i përfshirë analisti Fatmir Sheholli, që u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për spiunazh me Serbinë. Në audio, ai bisedon me dy persona, të cilëve iu tregon për lidhjet me Listën Serbe dhe me Milan Radoiçiç, i shpallur në kërkim nga Kosova.
Sheholli dëgjohet të thotë se ka lidhje të forta në Serbi ndërsa Radoiçiçin e konsideron si mik të mirë.
“Unë jam me ta para së gjithash mik i madh, përndryshe edhe punojmë aktivisht. Pozita ime është shumë…për opinionin e çuditshme. Unë kam përkrahje të madhe në Serbi. Kam përkrahje jashtëzakonisht të madhe nga Lista Serbe, në gjithçka..Prandaj them që është mjaft e çuditshme në opinion, por nga ana tjetër…do të thotë që unë duhet të…miku im i madh është Milan Radoiçiç. Miku im i madh, edhe mik i tyre. Kjo që po ndodh, këtë që po flasim merre me rezervë”, thotë Sheholli gjatë bisedës.
Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se pas hetimeve disa mujore, kishin arrestuar Shehollin nën dyshimet për veprën penale “Spiunazh”. Gjithashtu, dje, policia e Kosovës kreu kontrolle në banesën e tij. Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla kërkoi që rasti të trajtohet me seriozitet, duke e cilësuar si një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Radoiçiç u shpall në kërkim nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, ku u vra një efektiv policie. Ai mori përgjegjësinë për sulmin. Kosova e cilësoi sulmin si terrorist dhe drejtoi gishtin ndaj Serbisë, ndërsa kjo e fundit mohon çdo përfshirje.
Komente

Sheholli e ka thene dhe ne televizion me ze e figure qe ka punuar per organet e sigurimit te Serbise dhe i njoh pothuajse te gjithe udheheqesit ne Serbi, kryetaret e grupeve parlamentare etj. Nuk e di pse erdhi tani ky arrestim dhe shpresoj mos te jete vec per kete telefonate, se kushedi sa here te tjera mund ta kete thene kete gje.
Përgjigju