Kosova & Rajoni

Kosovë/ Veteranët e UÇK kërkojnë shkarkimin e kryeparlamentarit Dimal Basha, e akuzojnë për artikullin e vitit 2012

5 Shtator, 17:36| Përditesimi: 5 Shtator, 17:43

  • Share

Veteranët e luftës në Kosovë paralajmëruan protesta në rast se nuk shkarkohet kreu i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Kreu i saj tha se organizata ka marrë hapat e duhur dhe pret nga grupet parlamentare që të vihen në lëvizje. Ata e akuzojnë Bashën për një botim shkencor kundër UÇK vite më parë, ku ka qenë bashkëautor, për të cilin Basha është distancuar dhe ka kërkuar ndjesë.

***

Veteranët e UÇK kërkojnë shkarkimin e Dimal Bashës, edhe pse kreu i ri i parlamentit në Kosovë kërkoi ndjesë disa ditë më parë për një artikull shkencor ku ishte bashkëautor dhe ku pretendohej se UÇK është financuar nga para të trafikut të drogës.

Këtë të premte organizata e veteranëve të UÇK tha se nëse grupet parlamentare nuk veprojnë në seancën e radhës për shkarkimin e Bashës, ata do të përshkallëzojnë veprimet e tyre.

“Deri më sot ende nuk kanë kthyer përgjigje, ne si organizatë, do të marrim vendim nëse në seancën e parë që do të mbahet nuk do të marrin vendim partitë opozitare dhe VV me shkarkuar, ju e dini se për çka kërkojmë që ai të shkarkohet. Arsyeja që ka bërë një botim shkencor me një maqedonase që ka bashkëpunuar me të dhe ka shkruar artikull kundër UÇK-së. Nëse nuk merret vendimi për shkarkim po na imponojnë të dalim në protestë dhe të kërkojmë shkarkimin e tyre. Për protestë do të njoftojmë shpejt pas protestës që do ta kemi në Hagë”.

Në 28 gusht, kur sapo ishte zgjedhur si kryeparlamentar, Dimal Basha në një konferencë për mediat, shpjegoi se në kohën kur ishte student në vitin 2012, ai u bë bashkëautor i vetëm një pjese të artikullit, e cila nuk lidhej me veprimtarinë e UÇK-së, por me depërtimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.

Në deklaratë, Basha i cilësoi si të ulëta edhe akuzat apo pretendimet për lidhje me raportin e Dick Marty të cilat rëndojnë mbi të gjitha siç tha mbi popullin e Kosovës.

Fjalia e shumëdebatuar e punimit me bashkëautoren maqedonasen Jana Arsovska, shkruante se: “Trafikantët e drogës dërguan persona të armatosur për të luftuar së bashku me UÇK-në dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.

Për seancën e radhës së Parlamentit të Kosovës nuk ka ende një njoftim se kur do të zhvillohet, ndërsa deri më tani partitë e opozitës, nga të cilat veteranët e UÇK presin hapa konkrete, nuk janë shprehur për lëvizjet e mundshme ndaj kërkesës. 

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?