Kuvendi i Kosovës mban këtë të martë seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, duke shënuar hapin e parë drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në rend dite, duke nisur nga ora 10.00 do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të kuvendit.
Një ditë para kësaj seance është e paqartë se si do të jetë ecuria e saj, në një kohë kur ende Lëvizja Vetëvendosje që mori 48 deputetë, nuk ka arritur të formojë shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh.
PDK nuk ka vendosur ende se si do të veprojë në seancën konstituive të Kuvendit, dhe për të dalë në një qëndrim, sonte mbledh grupin parlamentar. Por, ata kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votim pas një zgjedhje të qëndrueshme që nënkupton që kryeministër të jetë Bedri Hamza.
VV-ja ende nuk e ka një emër për kryetar të Kuvendit. Edhe pse duhet ta prezantojë nesër një kandidat, kjo parti ka thënë e ka lënë të hapur diskutimin me partnerët e mundshëm qeveritar. Për koalicion qeverisës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë thënë se nuk duan bashkëpunim me partinë e Albin Kurtit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha të premten se një parti që nuk i ka 61 vota, s’mund të ketë kryetarin e kuvendit.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se bashkë me PDK-në, marrin përgjegjësinë për formimin e qeverisë së re.
Ndërkohë, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, tha pas regjistrimit si deputet, se nuk është optimist që nesër do të mund të formohet ekzekutivi i ri.
Komente
