Ekonomia vazhdon të jetë e varur nga paratë që diaspora dërgon në Kosovë. Paratë e dërguara dhe ardhja e tyre për pushime në Kosovë, po përmenden si një ndër faktorët kryesorë për rritje ekonomike në 7.1 për qind në këtë vit nga -5.3 për qind sa kishte rënë vitin e kaluar.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore, të publikuar më 6 tetor, thuhet se aktiviteti ekonomik në Kosovë gjatë vitit 2021 pritet të zgjerohet në 7.1 për qind, rritje kjo e nxitur nga vizitat e diasporës dhe masat mbështetëse fiskale. Në periudhën afatmesme, sipas raportit, rritja ekonomike do jetë e kushtëzuar nga përshpejtimi i procesit të vaksinimit kundër COVID-19 dhe menaxhimit të pandemisë.
Profesori i ekonomisë në Kolegjin UBT, njëherësh ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Hashim Rexhepi, konsideron se ky nivel i rritjes ekonomike është inkurajues pasi përfitimet ekonomike në vitin 2021 duhet të kompensojnë humbjet e shkaktuara nga pandemia në vitin e kaluar, kur Kosova është përballur me pandeminë dhe me masat kufizuese. Të ardhurat e diasporës, sipas tij, vazhdimisht kanë pasur ndikim të madh në ekonominë e Kosovës.
“Ndikimi i diasporës në Kosovë vazhdimisht ka qenë jashtëzakonisht i madh. Ardhja masive e qytetarëve në këtë vit ka bërë që remitencat apo të ardhurat nga diaspora të jenë dukshëm më të mëdha sesa në vitet paraprake. Prandaj edhe ndikimi në rritjen ekonomike është ndierë në këtë periudhë. Të ardhurat që kanë sjellë bashkëqytetarët tanë kanë bërë që konsumi të rritet në Kosovë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vlera e remitencave në Kosovë për periudhën janar-gusht 2021, ka arritur 749.6 milionë euro apo 141.2 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera totale e remitencave ishte 608.4 milionë euro. Por, nuk të dhëna zyrtare sesa kanë shpenzuar para të gatshme qytetarët nga diaspora sa kanë qëndruar për pushime në Kosovë.
Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës flasin për rritje të të hyrave gjatë këtij viti. Në periudhën janar-shtator, Dogana ka arritur të inkasojë mbi një miliard euro apo 33 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Rukiqi: Rritja ekonomike nuk është e qëndrueshme
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë për Radion Evropa e Lirë se niveli i rritjes së konsumit ka determinuar rritjen ekonomike. Por, konsumi sipas tij, nuk është burim i qëndrueshëm i rritjes ekonomike.
“Ne nuk duhet të kemi ndonjë entuziazëm të tepruar nga rritja ekonomike gjatë këtij viti, pasi në të njëjtën kohë kemi indikacione të rritjes së inflacionit. Kjo rritje ekonomike shumë lehtë vitin tjetër mund të na zhgënjejë nëse vazhdon trendi i rritjes së çmimeve”, thotë Rukiqi.
Rritja ekonomike mesatare në Kosovë prej vitesh sillet deri në 4 për qind. Sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2019 kishte shënuar rritje reale prej 3.9 për qind. Për vitin 2020, kjo rritje ishte parashikuar të ishte 4.2 për qind, por si pasojë e pandemisë dhe masave kufizuese, ekonomia e Kosovës, sipas Bankës Botërore ka pasur rënie deri në -5.3 për qind.
Por, Hashim Rexhepi shprehet optimist se niveli i rritjes ekonomike në Kosovë do të vazhdojë, pasi kompanitë prodhuese me produktet e tyre kanë arritur të depërtojnë edhe në shtetet e Bashkimit Evropian. Kurse Qeveria e Kosovës, sipas tij, duhet të gjejë mënyra për tërheqje të investimeve ndërkombëtare.
“Kështu që unë konsideroj se po krijohen parakushtet që ekonomia jonë të ecë më shpejt. Mirëpo, kur flasim për rritjen ekonomike dhe ndikimin e saj të përgjithshëm në standardin jetësor të Kosovës, duhet të krijohen parakushte në tërheqjen e investimeve të jashtme sepse ato ndikojnë ekskluzivisht në rritje ekonomike, dhe që të kemi një rritje ekonomike dyshifrore, në qoftë se dëshirojmë të zëmë nivelin e zhvillimit ekonomik që kanë vendet e rajonit, e mos të flasim për vendet e Bashkimit Evropian”, shprehet Rexhepi.
Ndërkaq, Berat Rukiqi vlerëson se burime të qëndrueshme të rritjes ekonomike janë investimet në sektorin privat dhe rritja e eksportit.
Rritja ekonomike në rajon
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore edhe disa nga vendet e rajonit kanë shënuar rritje ekonomike, gjatë këtij viti.
Rimëkëmbja ekonomike në Shqipëri në vitin 2021 është më e fortë sesa ishte parashikuar, teksa aktiviteti ekonomik është rikthyer në 7.2 për qind. Edhe ekonomia e Serbisë gjatë këtij viti ka shënuar rritje prej rreth 6 për qind.
Pas recesionit të thellë të vitit 2020, ekonomia e Malit të Zi po rimëkëmbet më shpejt nga sa ishte parashikuar, me një normë rritjeje të parashikuar dyshifrore për këtë vit.
Rritja ekonomike në Bosnjë dhe Hercegovinë ka arritur në 4 për qind kurse në Maqedoninë e Veriut rritja ka arritur në 3.5 për qind./ REL