Pas takimeve me liderët politikë për ti dhënë një zgjidhje krizës së krijuar në parlamentin e Kosovës, Vjosa Osmani dha një interpretim të Presidencës për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar në datën 26 Qershor. Sipas Osmanit ekipi ligjor i Presidencës kupton se votimi i fshehtë që LVV kërkon të zhvillojë në parlament për votimin e Albulena Haxhiut lejohet si mekanizëm, por më parë duhet të zhvillohet një votim ku të pyeten deputetët a dëshirojnë një votimi në këtë formë.
"Konstatimi i ekipit tim ligjor, me të cilin unë pajtohem, është që nëse lexohet në tërësi aktgjykimi, votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës para se të shkohet te një mënyrë e tillë. Ky është interpretimi i ekipit tonë ligjor, por nuk do të thotë se të tjerët pajtohen me të. Ky është konstatimi i një analize disa ditore të këtij aktgjykimi nga një grup ekspertësh profesionistësh brenda e jashtë vendit, të cilët vazhdimisht më këshillojnë në këtë fushë – pra që lejohet si mundësi, por para se të shkojmë te një hap i tillë duhet patjetër të ketë vendim të seancës. Duhet të pyetet Kuvendi, deputetë a jeni pro një vendimi të tillë apo jo", thotë Osmani.
Një shqetësim sipas Presidentes së Kosovës, e cila u ndal tek atkgjykimi i Kushtetueses është edhe fakti se organi suprem i drejtësisë konstaton se deputetët në parlament nuk po e kryejne detyrën për përfaqësimin e qytetarëve dhe nëse ata do të shkelin afatin 30 ditor të kërkuar nga Gjykata, kjo do të përbënte shkeljen më të rëndë ndonjëherë të kushtetutës.
"...Nëse ne nuk po mund ta ushtrojmë sovranitetin nga kapitulli 1 i Kushtetutës sepse populli nuk po mund të ushtrojë sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, kjo është një nga shkeljet më të rënda që nga dita kur Kushtetuta e Kosovës është miratuar", vijoi Presidentja.
Takimet e dy ditëve të fundit që Vjosa Osmani zhvilloi me krerët e partive politike për të zhbllokuar krizën nuk dhanë rezultat. Seanca e 41 për konstituimin dështoi të enjten ndërsa të shtunën pritet përpjekja e radhës.
Komente
