Shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Kosovë, Vetëvendosje prek gati 50%! Vjosa Osmani më e votuara

4 Mars 2021, 09:32| Përditesimi: 4 Mars 2021, 15:40

  • Share

Zgjedhjet e 14 Shkurtit në Kosovë prodhuan rezultate historike duke bërë të mundur që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit të marrë më shumë vota se çdo parti tjetër në historinë  e vendit dhe Vjosa Osmani zyrtarisht është njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura. 38-vjeçarja që mban pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë besimin e gjithsej 300 mijë e 788 votuesve . Para Osmanit rekordin për numrin më të madh të votave e mbante ish-presidenti i ndjerë dhe themeluesi i LDK-së Ibrahim Rugova.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve janë bërë të ditura nga Komisioni Qëndror i zgjedhjeve i cili shpalli rezultatin në ditën e sotme.

“Numri i votuesve 814 mijë e 122 votues. Numri i votuesve 89 mijë e 257 votues jashtë kutive të votimit. Pjesëmarrja në votime 48.77%. Lëvizja Vetëvendosje ka marr 438 mijë e 334 vota, PDK’ja 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota, AAK’ja 62 mijë e 111 vota. Lista Serbe 44 mijë e 404 vota”, tha Valdete Daka.

Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 58 deputetë, 19 PDK, 15 deputetë LDK, AAK 8 mandate, 10 deputetë Lista Serbe , 10 deputetë për partitë e etniteteve të tjerë.  Nëse subjektet partiake kanë ankesa mund të paraqesin ankesat e tyre pranë PAZP-së brenda 24 orëve.

Për formimin e qeverisë Albin Kurtit i duhen të paktën 61 vota, ndërkohë që për zgjedhjen e presidentit të ri do të ketë nevojën e një koalicioni më të gjerë.

Ora 11:44
Kosovë, Vjosa Osmani shkruan historinë, personi më i votuar ndonjëherë

Drejtuesja e iniciativës “Guxo” dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, edhe zyrtarisht është njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kur ato organizohen me lista të hapura. 38-vjeçarja që mban pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë besimin e gjithsej 300 mijë e 788 kosovarëve.

Para Osmanit rekordin për numrin më të madh të votave e mbante ish-presidenti i ndjerë dhe themeluesi i LDK-së Ibrahim Rugova,

Në vitin 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës mori 359 mijë e 851 vota apo 45.65 % që ishte përkthyer në 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Rugova në atë kohë la pas Hashim Thaçin me Partinë Demokratike të Kosovës që kishte marrë 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn që me AAK-në kishte marrë afro 62 mijë vota.

Një rekord të tillë votash Osmani e ka marrë pas përplasjeve konsekuente që ka pasur me kreun e LDK’së, Isa Mustafën, dhe pas vendimit që përfundimisht t’i ndajë rrugët me partinë ku kishte nisur karrierën e saj politike e që së fundi ia kishte dhënë edhe besimin për të kandiduar për kryeministre.

Si kandidate e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, kishte humbur zgjedhjet e 6 tetorit përballë kundër kandidatit të VV’së, Albin Kurti.

Ora 11:43
Deputetët më të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit

 

Në zgjedhjet e 14 shkurtit personi më i votuar ka rezultuar Vjosa Osnami e cila ka siguruar 300 788 vota, i dyti renditet Glauk Konjufca me 200 641 vota, i treti rendit Arben Vitia me 107 813 vota, të gjithë pjesë e listës së Vetëvendosjes.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, më i votuari është Enver Hoxhaj me 100 518 vota, ndërkohë që të zgjedhurit e tjerë kanë një diferencë të konsiderueshme me kreun e partisë.

Në LDK më i votuari është kryeministri në largim Avdullah Hoti, i cili ka marrë vetëm 69 640 vota, shumë më pak seç pritej.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka marrë 41 406 vota i ndjekur nga i vëllai i tij Daut Haradinaj.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka njoftuar se fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit ka dal Lëvizja Vetëvendosje me  438 mijë e 334 vota.

Pas VV’së, partia e dytë më e votuar doli të jetë Partia Demokratike e Kosovës me 148 mijë e 296 vota dhe e treta ka përfunduar Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 mijë 978 vota

Ora 11:23
Vjosa Osmani deputetja më e votuar në zgjedhjet e 14 Shkurtit, Lista Guxo merr 6 deputetë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka arritur që të jetë personi më i votuar në Kosovë në zgjedhjet e 14 Shkurtit duke siguruar 300 mijë e 788 vota.  Në listën e 58 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjashtë kandidatë nga Lista e Vjosa Osmanit kanë fituar mandatin në legjislaturën e tetë. Përveç Osmanit janë zgjedhur edhe Donika Gërvalla 71 mijë e 720 vota, Haxhi Avdyli 26 mijë e 630 vota, Faton Peci 25 mijë e 307 vota, Doarsa Kica 10 mijë e 604 vota dhe Jeta Statovci 9 mijë e 410 vota.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?