Kosovë, sulmohet fizikisht gazetari investigativ Visar Duriqi, reagime të shumta në vend

25 Shkurt 2021, 11:47| Përditesimi: 25 Shkurt 2021, 16:43

  • Share

Tre persona e kanë sulmuar fizikisht mbrëmë gazetarin e Insajderit Visar Duriqi, raportojnë mediat vendase.  Sulmi fizik ndaj tij është bërë nga persona ende të panjohur që e kishin pritur gazetarin në hyrjes së banesës së tij.

Gazetari Duriqi ka pasuar lëndime të shumta dhe është trajtuar në Urgjencën e QKUK-së.

Policia ka konfirmuar se të dyshuarit kanë mbajtur maska gjatë sulmit.

“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që tre persona të maskuar kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore”, ka thënë policia.

Menjëherë pas sulmit ndaj gazetarit kanë reaguar klasa politike në vend. Kandidatja për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, e ka quajtur lajmin si të rëndë.

“Lajme të tilla sikur për sulmin e lëndimin e rëndë të gazetarit Visar Duriqit mos lexofshim kurrë”, shkruan Kurti.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se sulmi ndaj gazetari në fakt është një sulm ndaj gjithë shoqërisë.

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj gjithë shoqërisë sonë. Sulme të tilla dëmtojnë lirinë e shprehjes dhe medias dhe janë sulme direkte mbi interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Institucionet përgjegjëse duhet ta hetojnë urgjent këtë rast, të identifikojnë autorëve dhe të zbulojnë motivet e sulmit, dhe po ashtu që të merren masa ligjore efikase”, ka shkruar ajo në një postim në “Facebook”.

I pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i tronditur për sulmin fizik ndaj gazetarit investigativ në Kosvë.

“I tronditur pas sulmit fizik ndaj gazetarit, Visar Duriqi. Kjo është tendencë sulmi edhe ndaj lirisë së shprehjes dhe assesi nuk duhet të tolerohet. Kërkoj nga organet e drejtësisë që urgjentisht ta zbardhin rastin dhe autorët ta marrin dënimin meritor!”, tha Haziri.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar po ashtu rëndë dhunën ndaj gazetarit.

 “AGK-ja do t’i njoftojë të gjithë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë lidhur me këtë rast dhe iu bëjmë thirrje të gjithë kolegëve tanë gazetarë që t’i raportojnë kërcënimet dhe sulmet në drejtim të tyre”, thuhet nga ky institucion.

 

Ora 14:21
Visar Duriqi: Ata që e kanë porositur këtë sulm duhet ta dinë që një hundë dhe disa dhëmbë të thyer nuk më frikësojnë

Gazetari investigativ dhe autori i emisionit Indoks, Visar Duriqit me anë të një postimi ka falënderuar të miqtë e kolegët për interesimin ndaj tij, ku ka theksuar se gjendja e tij është e qëndrueshme. Në mesazhin e tij Duriqi ka theksuar se se ata që e sulmuan duhet ta dinë që një hundë dhe disa dhembë të thyer nuk e frikësojnë.

"Unë jam ne gjendje stabile me shëndet. Sa i përket sulmit dhe tre personave qe e kane kryer atë mbrëmë pas mesnatës, ajo është çështje qe i takon Policisë dhe Prokurorisë. Ata, deri tash po bëjnë çdo gjë qe është e mundur me aq sa lejon ligji. Ata që e kanë porositur këtë sulm, e që për momentin ende nuk i di se kush janë, duhet ta dinë që një hundë dhe disa dhëmbë të thyer nuk është që na frikësojnë. Pas stabilizimit me gjendjen shëndetësore kthemi aty ku e kemi lënë," ka shkruar Duriqi.

Sulmi fizik ndaj Visar Duriqit, është bërë nga tre persona ende të panjohur, të cilët e kishin pritur gazetarin Duriqi, para hyrjes së banesës së tij

Ora 12:39
BE reagon pas sulmit ndaj gazetarit: Thëllësisht të shqetësuar nga dhunimi i Duriqit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi.  Zyra e BE ka shkruar se presin që autoritetet të sjellin para drejtësisë dhunuesit. 

“Thellësisht të shqetësuar nga sulmi ndaj gazetarit investigativ Visar Duriqi. Gazetarët duhet të kenë mundësinë për të punuar në një ambient të lirë dhe të sigurt. Bëjmë apel tek autoritetet që të hetojnë shpejt incidentin dhe të sjellin sulmuesit para drejtësisë”, thuhet në reagimin e BE’së.

Pas trajtimit mjekësor, gazetari Visar Duriqi, ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës në Prishtinë. Duriqi ka thënë për media se rrahja ka zgjatur rreth një minutë e gjysmë, ndërsa sulmi ka nisur nga një person fillimisht, më pas janë përfshirë edhe dy të tjerë. Ai tha se i ka katër dhëmb të thyer, nofullën dhe hundën të dëmtuar, si dhe lëndime të tjera.

Gazetari pohon se kërcënime ka pasur që nga viti 2014-të, teksa thekson se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të punës së tij në dokumentarin hulumtues që e transmeton në TV dhe media online.

 

Ora 12:36
Hoti: Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqit i papranueshëm dhe i dënueshëm

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka reaguar pas sulmit që i është bërë gazetarit të Insajderit, Visar Duriqit duke e cilësuar atë si një sulm të papranueshëm dhe dënueshëm. 

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është sulm ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë është i papranueshëm dhe i dënueshëm. Ftoj organet e rendit për ndriçim sa më të shpejtë të këtij akti qyqar, ndërsa gazetarit Duriqi i uroj shërim dhe kthim sa më të shpejt në kryerjen e detyrës së tij. Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?