Kosova & Rajoni

Kosovë/ Afati për konstituimin e Parlamentit drejt djegies, Osmani i drejtohet Kushtetueses: Sqaro konfliktin e kompetencave

22 Korrik, 16:22| Përditesimi: 22 Korrik, 18:55

  • Share

Katër ditë larg afatit që Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur për konstituimin e parlamentit, Presidentja e Kosovës i është drejtuar këtij institucioni për tu shprehur me sqarime në lidhje me pasojat që do të vijnë nëse ai do të digjet. Vjosa Osmani njoftoi në një konferencë publike se i ka kërkuar Gjykatës të sqarojë pasojat juridike që do të vijnë nëse deputetët në parlament nuk do të arrijnë të konstituojnë parlamentin. 

Gjithashtu Osmani tha se shpreson që Kushtetuesja të shqyrtojë me prioritet kërkesën e Presidencës dhe mbi të gjitha që afati i 26 Korrikut të ngrijë, deri në sqarimin e plotë juridik me daljen e aktgjykimit të ri. Osmani shpjegoi se cilat janë shqetësimet e institucionit që drejton dhe se çfarë pyetjesh sqaruese i ka bërë gjykatës. Ato  kanë të bëjën kryesisht me kushtetueshmërinë e parlamentit dhe qeverisë që mund të votohen pas së shtunës së ardhshme.  

"Në rast të mosrespektimit të afatit: A do të ishte një kuvend i tillë kundërkushtetues nëse konstituohet pas 26 Korrikut? A do të ishte një qeveri e votuar nga ai kuvend po ashtu kundërkushtetuese? A mundet që Presidenca ta caktojë mandatarin që rrjedh nga një kuvend kundërshtuetues? A do të mundë presidenca që të caktojë mandatarin i cili do të votohet në një kuvend që është formuar në kundërshtim me kushtetutën?", tha Osmani në renditjen e pyetjeve në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese në Prishtinë. 

Votimi i fshehtë i kërkuar me ngulm nga LVV javët e fundit, që ka çuar në përplasje partitë në Parlament nuk është ndër pyetjet për të cilat Osmani i ka kërkuar sqarim Kushtetueses. Ajo tha se kjo çështje ka qenë objekt i kërkesave të mëparshme të partive dhe është parë e arsyeshme të mos dublikohet si çështje për sqarim. 

“Sot, në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese, për të garantuar funksionimin demokratik dhe kushtetues të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës. E paraqita këtë kërkesë pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tone”, tha Presidentja Osmani.

Sipas Vjosa Osmanit, në horizont nuk duket asnjë kompromis mes partive politike që mund t’i japë zgjidhje ngërçit për konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve, siç kishte urdhëruar Gjykata Kushtetuese.

Për këtë arsye, Osmani i kërkoi Kushtetueses, që afatin 30-ditor, që skadon më 26 Korrik, ta pezullojë deri në sqarimin e situatës pas kërkesës që ka bëri ditën e sotme. Në përfundim, Presidentja Osmani tha se nëse arrihet marrëveshja për konstituimin e Kuvendit, ajo do të tërheqë kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese.

Deri tani janë djegur 50 seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët nuk kanë arritur të gjejnë një dakordësi.

A.I/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kushtetuese opsion: 22/07/2025 20:50

    Zgjedhje parakohshme Java pare shtatorit ose formim Qeverie deri korrik /java pare gusht

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    9 vite nga reforma në drejtësi, a janë përmbushur pritshmëritë?